4 orë 'luftë' me flakët/ Shuhet zjarri në anijen e mallrave pranë Portit të Durrësit

Një anije mallrash me flamur të Panamasë, u përfshi nga zjarri teksa ndodhej në pritje të ankorimit në Portin e Durrësit. 

Anija "Kledes Mary" me pronar shqiptar, ndodhej në radën e portit. 

Mesditën e kësaj të shtune ekuipazhi ka konstatuar tym, ndërsa menjëherë është lëshuar alarmi. 

Nga Porti i Durrësit është nisur rimorkiatori i cili ka hedhur ujë në vendin ku kishte shpërthyer zjarri dhe pas 4 orësh flakët janë shuar. 

Kapiteneria e Portit të Durrësit
Rreth orës 14:01 salla e monitorimit të kapitenerisë së Portit të Durrësit vuri se nga anija “Kledes Mary” me flamur panamez por me pronar shqiptar, e cila ndodhej në radën e Portit Durrës po dilte tym. Menjëherë njoftoi QNOD, policinë e kufirit dhe Rojën Bregdetare për organizimin e operacionit të shuarjes së zjarrit dhe shpëtimit të ekuipazhit.

Me urdhër të kapitenerisë së Portit Durrës drejt anijes u nis rimorkiatori i cili filloi të hidhte ujë në kiçin e anijes ku kishte shpërthyer zjarri.

Në ndihmë erdhi edhe anija e rojes bregdetare të cilat pas 4 orë përpjekjesh bënë të mundur shuarjen e zjarrit dhe shpëtimin e ekuipazhit dhe anijes. Një ndihmë të madhe dhanë edhe punonjësit e zjarrfikësve të Portit Durrës të cilët hynë në brendësi të anijes me bombula oksigjeni dhe kontrolluan anijen për vatra të pashuara dhe për të siguruar shuarjen plotësisht të zjarrit.