Vllaznia bën goditjen e madhe në merkato, rikthen në ‘shtëpi’ Bekim Balajn

Bekim Balaj rikthehet në Shqipëri pas më shumë se një dekade.

Sulmuesi 32-vjeçar i Kombëtares shqiptare ka mbyllur kontratën me Keciorengucu në Turqi dhe është kthyer në shtëpi, duke firmosur për 3 sezone me Vllazninë.

Lajmin zyrtar e jep vetë klubi kuqeblu, ku njofton: “Klubi i Futbollit Vllaznia në përmbushje të objektivave sportiv, njofton se ka arritur marrëveshjen e bashkëpunimit për 3 sezone sportive, me lojtarin e Kombëtares shqiptare Bekim Balaj”.

Balaj është rritur te Vllaznia, por ka luajtur vetëm një sezon me kuqeblutë, në periudhën 2009-2010, kur edhe ka shënuar 17 gola në 38 ndeshje, aq sa i mjaftuan për të tërhequr vëmendjen e turqve të Genclerbirligi.

Rikthimi i sulmuesit shkodran pritet të rritë edhe më shumë entuziazmin te Vllaznia, që këtë sezon me Mirel Josën në stol, synon të kthejë në Shkodër edhe titullin kampion, teksa aktualisht ka 25 pikë, 4 më pak se Partizani kryesues.