Dramë në Premier League: I gjithë bordi drejtues i klubit të njohur anglez u urdhëruan të mos vijnë në stadium
I gjithë bordi dhe drejtuesit e gjigantit anglez Everton janë urdhëruar të mos marrin pjesë në ndeshjen e sotme në Premier League.
Nëntë herë kampionët e Anglisë, Everton, po përballen me një nga krizat më të mëdha të rezultateve në histori dhe skuadra është në zonën e ftohtë në tabelë. Agresiviteti dhe protestat e tifozëve të pakënaqur po shtohen dhe për këtë klubi sot ka lëshuar një komunikatë për media.
Everton theksoi se e gjithë drejtuesit e klubit janë urdhëruar të mos marrin pjesë në ndeshjen e sotme kundër Southampton, e cila mund të jetë një nga më të rëndësishmet për të ardhmen e klubit, për sigurinë e tyre.
"Kryetari Bill Kenëright, shefi ekzekutiv Denise Barrett-Baxendale, zyrtari kryesor financiar dhe strategjik Grant Ingles dhe drejtori joekzekutiv Graeme Sharp pranuan pa dëshirë rezultatin e një vlerësimi sigurie të kryer nga këshilltarët. Anëtarët e bordit morën urdhrin pas kërcënimeve dashakeqe të marra nga klubi dhe incidentet në rritje, duke përfshirë agresionin fizik të synuar në ndeshjet e fundit në shtëpi”, tha Everton.
Pas kësaj janë sqaruar fjalët e këshilltarit të klubit për sigurinë.
“Pas një vlerësimi të plotë të rrezikut dhe në përgjigje të kërcënimeve të prekshme të marra nga klubi dhe informacionit të mbledhur nga ne, anëtarëve të menaxhmentit të klubit u është thënë se ata mund të mos marrin pjesë në ndeshjen e sotme”, tha Everton në një deklaratë.
Një zëdhënës i klubit tha se ky ishte një precedent në Everton dhe se klubit kurrë më parë nuk i është dashur të urdhërojë të gjithë bordin e drejtorëve që të mos marrin pjesë në një lojë për arsye sigurie.
“Kjo është një ditë e trishtuar për Everton”, thuhet në një deklaratë të klubit.
Meqë ra fjala, pronari i Evertonit, Farhad Moshiri, së fundmi i dha një votëbesim dhe vendosi të lërë trajnerin Frank Lampard në pankinë, pavarësisht rezultateve të dëshpëruara së fundmi.