Ukraina pretendon se Soledar është ende nën kontrollin e tyre, por situata është e vështirë
Pavlo Kyrylenko, kreu i administratës ushtarake të rajonit Donetsk, ka pohuar se ushtria ukrainase ende kontrollon qytetin e Soledar edhe pse disa njësi ukrainase në zonë kanë thënë se janë vetëm në periferi të qytetit.
Duke folur në televizionin ukrainas, Kyrylenko tha:
"Armiku po pëson humbje të mëdha, duke mbuluar rrugën e tij me trupat e luftëtarëve të grupit Wagner dhe ushtarëve të forcave ruse".
Ai shtoi se "situata është e vështirë por nën kontroll. Komanda ushtarake po merr të gjitha masat e nevojshme për të stabilizuar situatën".
Kyrylenko tha se shtatë civilë ishin evakuuar nga qyteti të premten, por 550 mbetën në qytet, i cili është pa energji elektrike dhe ku disa ndërtesa mbeten të padëmtuara.
Gjithashtu Kyrylenko këmbënguli se "situata humanitare në qytet është nën kontroll. Ka një furnizim ushqimor dhe strehimore për banorët vendas."
Rusia tha të premten se forcat e saj kishin marrë qytetin e vogël Soledar në Ukrainën lindore pas javësh luftimesh të ashpra, në atë që do të ishte fitorja e parë e dukshme e Moskës pas disa muajsh, një pretendim që Ukraina vazhdon ta mohoj.
Pushtimi i Soledar do të përfaqësonte një fitore simbolike nëse jo veçanërisht strategjike për Putinin pas një vargu të gjatë pengesash ushtarake që datojnë që nga vera e kaluar.
Por kjo nuk sugjeron një kapitullim të rëndësishëm të forcave ukrainase, as një ndryshim thelbësor në kompleksin e përgjithshëm të luftës.