Kishte dalë hapur kundër Erdogan, shteti turk ofron s500 mijë dollarë për informacione rreth basketbollistit të NBA

Enes Kanter Freedom – një kritik i hapur i abuzimeve të të drejtave të njeriut në mbarë botën – është shpallur në kërkim në Turqi, me qeverinë që ofron 500,000 dollarë për informacione që çojnë në arrestimin e lojtarit të NBA.

Sipas “Turkish Minute”, Ministria e Brendshme e Turqisë publikoi ​​"Listën e Terroristëve të Kërkuar", ku përfshihej 30-vjeçari NBA, me akuzën e anëtarësimit të një organizate terroriste.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan dhe qeveria kanë vendosur madje një shpërblim prej 10 milionë lirash turke – ekuivalente me rreth 500,000 dollarë amerikanë – për këdo që e vendos Kanterin pas... hekurave.

Basketbollisti 30-vjeçar, i cili sezonin e kaluar luajti për Boston Celtics (tani lojtar i lirë) në NBA, theksoi: “ Nuk jam i vetmi. Ka kaq shumë gazetarë, akademikë, sportistë, aktivistë dhe mësues të pafajshëm në këtë listë. Tani jeta e tyre është në rrezik për shkak të qeverisë turke”.

Kanter ka kritikuar vazhdimisht presidentin turk Erdogan, duke e quajtur atë një “diktator” ose “Hitleri i shekullit tonë”.

Ai ka komentuar njoftimin e tij në llogarinë personale në Instagram, duke shkruar në postim: “Nuk mund ta besoj se kemi arritur në pikën ku jeta ime luhet. Nëse më vrasin në një të ardhme të afërt, regjimi i Erdoganit do të jetë përgjegjës. Pse administrata Biden, NATO dhe liderët perëndimorë po heshtin dhe po përpiqen diplomatikisht të trajtojnë këto diktatura?”.

Megjithatë, nuk u ndal me kaq. Në një postim të ri, Kanter shkroi: “Eja më merr Erdogan. Dëshironi të humbni gjysmë milioni me mua? Hajdeni!”.