SYRI TV/ Sekuestrohen 62 mijë litra naftë kontrabandë nga Libia, arrestohen 13 persona
Policia e Shtetit ka dhënë detaje nga operacioni ku u zbuluan dhe sekuestruan 62 mijë litra naftë kontrabandë në dy peshkarexha shqiptare. Anijet shqiptare furnizoheshin në det të hapur nga një anije libaneze. Gjatë operacionit janë arrestuar 13 shtetas, 3 prej tyre shqiptarë. Sasia e madhe e naftës kontrabandë do të shitej në tregun shqiptar.
Nga SYRI TV
Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Guardia di Financa ka dalë në një konferencë të përbashkët për sekuestrimin e 62 mijë litrave naftë kontrabande në dy peshkarexhat shqiptare ndërsa dha detaje nga operacioni i zhvilluar.
Policia zbardhi skemën që përdorte grupi kriminal. Dy anijet shqiptare furnizoheshin në det të hapur nga një anije libaneze ku merrnin edhe naftën kontrabandë. Më pas, nafta kontrabandë do të hynte në tregun shqiptar për t’u shitur.
Operacioni i përbashkët u finalizua pas 48 orësh ndjekje në det nga rojet bregdetare ndaj dy peshkarexhave shqiptare me naftë kontrabandë. Gjatë operacionit u përfshi edhe një avion i Guardia di Finanza.
Edhe më herët në portin e Durrësit janë kapur ngarkesa me naftë kontrabandë që kishin si objektiv daljen në tregun shqiptar.