Xavi 'kërcënon' Ancelottin: Nuk ka humbur asnjë finale nga viti 2010? Epo, fitorja për ne...
Trajneri i Barçës, Xavi Hernández, ka folur në konferencën për shtyp para finales së Superkupës së Spanjës kundër Real Madridit, për të vlerësuar superklasiken: “Unë e shoh Real Madridin si shumë, shumë të fortë. Psikologjikisht ka një pikë avantazhi, sepse kanë luajtur më shumë finale, ka më shumë përvojë.
Por ne duhet të tregojmë ambicien tone, se duam dhe jemi të uritur që më në fund të fitojmë një titull. Unë me të vërtetë e pres me padurim këtë finale, i motivuar. Ka qenë e vështirë për ne të arrijmë këtu. Fakti që Ancelotti nuk ka humbur asnjë finale të vetme që nga viti 2010 më motivon edhe më shumë”.
Për trajnerin blaugrana, skuadra duhet të “ruajë strukturën dhe ambiciet tona ndaj një Real Madridi shumë të fortë”. Ai e vlerësoi ndeshjen si një “mundësi të jashtëzakonshme. Fitorja është e panegociueshme te Barça.
Ne jemi këtu për të fituar tituj, ky është objektivi. Jemi 90 ose 120 minuta larg nga fitimi i një titulli dhe po shkojmë drejt tij. Jo sepse rivali është Real Madridi, edhe ndaj një tjetri do të kishim të njëjtën dëshirë”.
Xavi përsëriti urinë për të fituar një trofe, që do të ishte i pari i tij në krye të Barcelonës: “Kjo Superkupë do të thotë shumë për tifozët e Barcelonës”. Një tjetër nga temat që trajtoi trajneri katalanas ishte edhe VAR-i, që i anuloi dy gola Barçës në gjysmëfinale ndaj Betisit:
“E njëjta gjë me VAR-in, humbet esenca e futbollit, festa, duhet të prisni se nuk është vërtetuar ende. Por nga ana tjetër është më i drejtë se gjykimi i arbitrave në fushë. Mua më pëlqen drejtësia, përveçse në raste të interpretueshme. Ka gjëra si ‘ofsside’ që janë pa të meta, ti fishkëllen dhe kaq. Thelbi i festës humbet pak, por nuk e evitojmë dot”.
Së fundi, Xavi foli për tregun e transferimeve. Ai ishte i qartë me largimin e mundshëm të Memphis Depay dhe ardhjen e Yannick Carrasco, edhe pse pa dhënë emra: “Nuk dua që askush të largohet. Nuk do të flas për emra, por nëse një lojtar kërkon largim, unë i kërkoj klubit një futbollist në vend të tij, për ta zëvendësuar”.