Si u kapën anijet me 62 mijë litra naftë kontrabandë dhe kush u arrestuan: Policia jep emrat dhe detajet e operacionit

Policia e Shtetit në bashkëpunim me hoomologen e saj italiane ka arritur të ndalë një rast kontrabandimi të naftës për në Shqipëri. Në bashkëpunim mështë zhvilluar operacioni policor i koduar “Geni”, falë të cilit u sekuestruan 62 mijë litra naftë kontrabandë ardhur nga Libia si dhe dy peshkarexha. Në këtë operacion u arrestuan 13 persona, 10 prej tyre shtetas të huaj.

Në anijen shqiptare "Geni" u arrestuan anëtarët e ekuipazhit: Elton Qevani,  Klajdi Kapxhiu  Selim Gaba dhe Muhamet Eltawargy.  

Në anijen libaneze “Abobakr 124" u arrestuan: Muhamed Arafe, Ahmed Zantawi, Ahmet Abdurrabu, Said Nwegi, Muhamed Mahmut, Eshref Kahlife, Islam Ashkar, Ali Hadad,  dhe Adil Badawi.

Në një konferencë të posaçme shtypi, lajmin e dhanë sot përfaqësuesit e Policisë së dy shteteve: kreu i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin Saimir Boshnjaku, së bashku me kreun e Hetimit të Krimeve Ekonomike Gentian Ndoin, me Kapiten Pascale Paolo dhe Lougotenente Prosdocimo Marco të Nuklit Detar të GDF në Durrës si edhe me përfaqësuesin e Interforcës Italiane në Shqipëri  Ferdinando Rucco.

Ndoi tha: “Në kuadër të bashkëpunimit, shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit të veprimeve, midis strukturave të Policisë së Shtetit,  Zyrës Ndërlidhëse italiane Interfocë, GDF-së, QNOD-së dhe rojës bregdetare, bazuar në inteligjencën informative të siguruar nga strukturat hetimore të Policisë së Shtetit, se në hapësirën detare mund të kryhej veprimtaria e paligjshme e kontrabandimit të naftës për në Shqipëri, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Geni”.

Bazuar në këto informacione të siguruara nga strukturat hetimore të Policisë së Shtetit, lindi nevoja e përfshirjes në operacion edhe të një avioni të GDF-së, e Barit të Italisë.

Në operacion u përfshinë shërbimet e Departamentit të Kufirit dhe Migracionit, në bashkëpunim me shërbimet e Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, DVP Durrës, Delta Forcë, shërbimet e Nuklit Detar të GDF-së në Durrës, shërbimet e QNOD-së dhe roja bregdetare.

Si rezultat i koordinimit të shërbimeve u bë i mundur identifikimi i dy anijeve të peshkimit të cilat dyshohet se po realizonin këtë veprimtari të kundërligjshme, në det.

Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar 2 anijet e peshkimit, konkretisht anijen shqiptare “Geni” dhe anijen libane “ABOBAKR 124”, të cilat në përfundim të veprimeve të para hetimore u sekuestuan në cilësinë e provës materiale.

Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 62.000 litra naftë pa dokumentacionin përkatës.

Në vijim të veprimeve hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, më datë 12 janar 2023, u bë arrestimi në flagrancë i  pjesëtarëve të ekuipazhit të anijes “Geni”, konkretisht: E.Q, 31 vjeç - K.K, 30 vjeç - S.G 65 vjeç - të tre banues në Durrës dhe M.E, 50 vjeç - shtetas i huaj.

Këta shtetas janë arrestuar për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”, “Fshehja e të ardhurave”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Kontrabanda e kapitenit, pilotit ose ekuipazhit” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Po në vijim të veprimeve operacionale dhe hetimore, më datë 13 janar 2023, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve të huaj, pjestarëve të ekuipazhit të anijes libiane “Abobakr 124”, e cila dyshohet se ka furnizuar me naftë të kontrabanduar anijen shqiptare, konkretisht shtetasit:

M.A, 48 vjeç - A.Z, 34 vjeç - A.A, 32 vjeç - S.N, 38 vjeç - M. M, 61 vjeç - E.K, 34 vjeç -  I. A, 34 vjeç -  A. H, 43 vjeç dhe A. B., 55 vjeç.

Këta shtetas janë arrestuar për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabande” dhe “Kontrabanda e kapitenit, pilotit ose ekuipazhit”.

Operacioni policor dhe veprimet hetimore kanë zgjatur 48 orë, në det dhe në tokë. Gjatë operacionit u bllokuan 2 anijet dhe u arrestuan pjesëtarët e ekuipazheve të tyre. 

Struktuarat hetimore, nën Drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, vijojnë punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale."