'Krimet e Ramës monstruoze, nuk u bëra bashkëpunëtor'/ Meta: Po të isha president më i 'qetë' merrja një mandat të dytë

Ilir Meta tha në Çim Peka Live se po të ishte president më i 'qetë' dhe të mos e ngrinte zërin për ato që ai i quajti krime monstruoze të Edi Ramës në qeverisjen e vendit, do të merrte një mandat të dytë si kryetar i shtetit. 

Kreu i PL tha se Rama kishte një plan të qartë për të ekzekutuar pluralizmin dhe interesin kombëtar të vendit. 

"Rezultati i Partisë së Lirisë do të jetë spektakolar, përkushtimi do të jetë shumë herë më i madh për rezultatin e opozitës dhe jam 24 orë në shërbim të kësaj çështje. Jo për Ilir Metën, se Ilir Meta mund të kishte qenë një president më i qetë dhe të kishte marrë një mandat tjetër, të ishte shpallur edhe presidenti më i mirë në botë. Pra, po të heshtja përballë krimeve monstruoze të bëra nga Edi Rama në raport me interesin tonë kombëtar, atë publik dhe me vetë demokracinë e pluralizmin politik në vendin tonë. Ilir Meta kurrë s'mund të pranonte të bëhej bashkëpunëtor, apo të heshte kur shikonte një plan të qartë për të ekzekutuar jo vetëm pluralizmin, por për të ekzekutuar me vetëdije të plotë çdo interes kombëtar thjesht për interesa të një pushteti të përkohshëm. Sepse realisht nuk është as ai kryeministri i Shqipërisë. Ai është nën presionin dhe influencat e të gjithë atyre ndaj të cilëve është peng. Për shkak të këtij që është peng i të tjerëve ne nuk mund të lëmë një vend, një komb, një popull që të jetë peng i këtij", tha Meta.