Analisti këshillon Veliajn: Fillo të përgatitësh terrenin e humbjes, nëse do të marrësh PS-në
Analisti Hysni Gurra këshillon Erion Veliajn që të nisë përgatitjet për të marrë drejtimin e PS.
Lëvizja e parë që duhet të ndërmarrë Veliaj, shkruan Gurra në një postim në rrjetet sociale, është përgatitja e terrenit për të adresuar humbjen e bashkisë në adresën e duhur, pa pritur 14 majin.
Sipas tij, nëse Veliaj synon të marrë drejtimin e PS, atëherë humbjen e bashkisë së Tiranës duhet t'ia faturojë Edi Ramës.
Gurra shton gjithashtu se Veliaj ka përballë një kandidat ndryshe, Belind Këlliçin, që nuk do t'i ndahet duke i denoncuar me fakte çdo aferë dhe kjo ka për t'ia vështirësuar situatën, nëse nuk orienton socialistët te përgjegjësi i vërtetë i të gjithë asaj që po ndodh me bashkinë e Tiranës.
Postimi
Erioni ka më shumë interes që të fillojë që tani të përgatisë terrenin për të adresuar humbjen e bashkisë në adresën e duhur, mos presë post 14 maj. Nëse vërtetë ushqen aspirata e ambicie për të marrë një ditë drejtimin e Partisë Socialiste.
Dhe humbja e Tiranës këtë radhë do t’i shërbejë atij si alibia më e mirë për t‘ia faturuar atë (humbjen) plotësisht atij që e meriton, Ramës. Lejet e mëdha të ndërtimit, aferat e mëdha korruptive në bashki, e të gjitha paligjshmëritë, shumicën e benefiteve të tyre e ka marrë monarku Erionit, vetë vetëm ç’i le monarku ka marrë.
Plus kësaj, i ka mbetur përgjegjësia ligjore në dorë. Monarku të detyron të shkelësh ligjin, dhe s’të shoqëron për te SPAK-u pastaj, po e pa keq punën, por të thotë- qe baba durët*.
Duke qenë se këtë radhë ka një kandidat përballë si Belindi, që i është qepur mbrapa duke i dokumentuar çdo ditë fakte, më mirë të lëshojë sinjale avash-vash për të orientuar socialistët te përgjegjësi i vërtetë.
E kështu të marrë partinë, sa kohë është edhe Saja atje ku është, se po doli edhe ai rritet konkurenca, se partia merret, nuk dhurohet. Sidomos ajo socialiste. Modelin e ka, siç Rama ia mori Fatosit.
Me radhë është kjo punë.
Marrjes së partisë, ose ndryshimeve të mëdha i paraprijnë gjithmonë disfata të mëdha, prandaj me atë që do ndodhë më 14 i ka ardhur shansi i fundit për të përmbushur ambicien e tij politike.
Ndryshe le të rrijë të presë Erioni si Princi Charles që për pak desh iku pa u bërë monark. Se s’dihet sa jetë biologjike i jep Zoti atij që rri mbi fron.
Edhe Erioni të vetmen mënyrë që ka për të marrë partinë është të përqëndrojë të gjitha forcat te partia, ndryshe, po priti kur t’ia japë Rama, do t’i bjerë në një kohë që s’i hyn në punë më as dreqit ajo punë, se Rama e ka edhe në gen që rrojnë gjatë, duket sikur është fis me Elizabetën.