Tedi Blushi: Erion Veliaj ka shembur pallate në Tiranë duke falsifikuar ekspertizën, SPAK ta hetojë
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi akuzon Erion Veliajn se ka shembur pallate në Tiranë, duke falsifikuar ekspertizën e tyre.
Në një postim në rrjetet sociale, Blushi thekson se qindra familje janë sot në rrugë të madhe prej vendimeve të bashkisë në kundërshtim me ligjin.
Gjithashtu, Tedi Blushi i bën thirrje SPAK-ut që të nisë hetim të menjëhershëm dhe serioz për Erion Veliajn dhe bashkinë e Tiranës.
Reagimi
Rrënimi i dhjetëra pallateve nga Bashkia e Tiranës është mbështetur mbi ekspertiza të dyshimta dhe akte të manipuluara. Qindra familje janë nxjerrë në rrugë të madhe përmes vendimmarrjeve në kundërshtim me ligjin, kostove të fryra dhe abuzimeve me procedurat administrative.
Skandali i përmasave të mëdha del në dritë falë një investigimi shumë serioz të "Respublica", mbështetur nga "LevizAlbania" që ka zbuluar se akt-ekspertizat e thelluara, oponencat teknike të Institutit të Ndërtimit, mbi të cilin janë marrë vendimet e Këshillit Bashkiak të Tiranës, rezultojnë të pasakta në fakte dhe në shifra.
Rasti më flagrant evidentohet për pallatin nr. 4 në Rrugën “Myslym Keta” që u rrënua nga fadromat e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, pa pritur zhvillimin e një procesi gjyqësor. Falsifikimi i ekspertizave dhe dramat e rënda familjare të shkaktuara nga Erion Veliaj dhe Bashkia e Tiranës meritojnë një hetim të menjëhershëm dhe serioz nga SPAK!