Florjan Hackaj: Kuvendi ka 12 muaj kohë të mundësojë me ligj votën e Diasporës
Emigrantët nuk do të kenë mundësinë të votojnë as në zgjedhjet vendore të 14 majit.
Por vendimi i Gjykatës Kushtetuese duket se i ka çelur dritën jeshile votës së diasporës në të ardhmen.
Përfaqësuesi i Diasporës për Shqipërinë e Lirë, Florjan Hackaj u shpreh për Syri Tv me moderatoren Armela Ferko se Kuvendi ka 12 muaj kohë për të plotësuar vakumin ligjor në mënyrë që në zgjedhjet e ardhshme, shqiptarët jashtë vendit të votojnë aty ku jetojnë.
"Prej datës 9 janar 2023, kur u botua në Fletoren Zyrtare vendimi i argumentuar nga Gjykata Kushtetuese, Kuvendi shqiptar ka 12 muaj kohë të plotësojë kuadrin ligjor çfarë mungon në mundësimin e votës për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit. Çdo votim pas këtij 12 mujori që mund t'i shkojë në mend dikujt që ta bëjë pa votën e diasporës, është antikushtetues. Kjo është një kambanë alarmi që ndoshta duhet t'ua shkundim ne më fort politikanëve shqiptarë, kryesisht qeverisë shqiptare dhe të ulemi e të punojmë për këtë.
Diaspora për Shqipërinë e Lirë ka një shtrirje në 23 shtete të botës tani që flasim, por ne nuk jemi përfaqësues të të gjithë diasporës sepse diaspora është e gjithëanshme. Në rastin konkret ne kemi alternativën shqiptaro-kanadeze për zhvillim, që është një organizatë me bazë në Toronto po këtu kemi Nador Bakallin që është anëtar Kryesisë i Diasporës për Shqipërinë e Lirë, kemi edhe shumë anëtar.
Po e shfrytëzojmë këtë moment në fund të muajit të bëjmë një takim informues por edhe të mbledhim forca që të bëjmë atë që kemi mëtuar që prej fillimit, të mos ia lëmë fatin në dorë të tjerëve që vetëm janë tallur me votën e diasporës.
Fitorja në Gjykatën Kushtetuese është një ogur shumë i mirë për këtë dhe një shpresë për këdo që vetëoroganizimi duhet të vijë. Nuk mund të presim më nga të tjerët", u shpreh Hackaj.