SYRI TV/ Spitali Kolonjë, më shumë sanitare se mjekë. Banorët përgënjeshtrojnë prefektin

Pak ditë më parë Prefekti i Korçës, Nertil Jole publikoi një koment në rrjetet sociale shoqëruar me disa foto të spitalit të Kolonjës, ku ndër të tjera theksonte se ky spital ka 7 mjekë, 10 shoferë ambulancash apo dhe 16 sanitare.

Prefekti Nertil Jole pretendon në komentin e tij në rrjetet sociale se spitali i Ersekës ka 83 shtretër dhe të gjithë repartet përfshirë kirurgjinë, urgjencën, pediatrinë apo laboratorët, janë të gjithë funksional.

Por pavarësisht pretendimit të Prefektit të Korçës, situata në spitalin e Kolonjës duket krejt ndryshe.

Syri Televizion pyeti qytetarë të Ersekës, në lidhje me shërbimin shëndetësor në këtë qytet. Vetë qytetarët duket që e përgënjeshtrojnë prefektin Jole, në lidhje me funksionimin e urgjencës apo shërbimeve të tjera mjekësore.

Sipas banorëve, në Ersekë nuk ka mjekë specialistë, ndaj për të kryer vizita të specializuara shkojnë në Korçë.

Spitali i Ersekës mbulon me shërbim gjithë bashkinë Kolonjë, e cila ka një popullsi prej më shumë se 11 mijë banorë. Jashtë kamerave, mjekë në Kolonjë tregojnë gjithashtu se problemi kryesor është mungesa e shërbimi shëndetësor në zonat rurale, ku në shumë fshatra nuk ka as mjekë familje.