SYRI TV/ Zgjedhjet lokale, PS me aplikacion propagande, administrata detyrohet të shkarkojë 'Aktivist'

Pak muaj larg nga zgjedhjet lokale të 14 majit, PS perfeksionon sistemin e patronazhimit, duke krijuar një aplikacion propagande me paratë e qytetarëve.  Administrata publike detyrohet nga qeveria që të shkarkojë aplikacionin “Aktivist” dhe të pëlqejë e shpërndajë lajmet ku trumbetohet puna e mazhorancës. Kreu i PD-së, Sali Berisha, e dënoi terrorin dixhital që sipas tij po i bëhet administratës, ndërsa bëri thirrje të marrë fund ky abuzim

Nga SYRI TV

Partia Socialiste, jo vetëm nuk heq dorë nga patronazhimi, por e ka perfeksionuar atë, tashme  duke krijuar me paratë publike një aplikacion propagande. 

Pak muaj para zgjedhjeve lokale të 14 majit,  mazhoranca detyron administratën të shkarkojë  aplikacionin “Aktivist” përmes të cilit mund të regjistrohen mbështetësit e PS-së.

Në aplikacion ka qindra lajme për Edi Ramën, Erion Veliajn dhe deputetët e mazhorancës e po kështu edhe  një platformë bashkëbisedimi.

Ndërkohë, ndalimet e parashikuara nga Kodi Zgjedhor nuk e ndalojnë qeverinë për përdorimin e administratës publike në zgjedhje, e cila është detyruar që jo vetëm të angazhohet në aktivitet zgjedhor, por edhe të shkarkojë këtë aplikacion dhe të regjistrohet si aktivist për t’i bërë “share” postimeve që shpërndahen.

Lidhur me këtë sistem të ri patronazhimi të socialistëve, në funksion të propagandës, reagoi edhe kreu i PD-së, Sali Berisha.

Në konferencën për gazetarët, Berisha u shpreh se Rama po ushtron teror dixhital mbi administratën.

Në  aplikacionin “Aktivist”, denoncuar edhe nga lideri demokrat Sali Berisha,  një pjesë e mirë e postimeve janë lajme që merren nga mediet proqeveritare, ku propagandohet puna e mazhorancës.