SYRI TV/ Shtatë vjet pas reformës, drejtësia me probleme - Balla: Prokuroria në ditë jo të mira

Shtatë vjet pas nisjes së reformës, Drejtësia vijon me probleme të mëdha. Kjo është konfirmuar nga kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Alfred Balla, i cili pohon se Drejtësia nuk është në ditën e saj më të mirë. Balla bëri një bilanc të sistemit dhe vakancave të krijuara, ku sot në detyrë janë 214 prokurorë dhe në mungesë, 107 të tjerë.

Nga SYRI TV

Kur po hyjmë në vitin e shtatë të Vetting-ut, sistemi i drejtësisë ka ende probleme. Është pikërisht reforma në drejtësi ajo që ka shkaktuar boshatisje në radhët e prokurorëve dhe këtë e ka pranuar edhe vet kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Alfred Balla, duke theksuar se prokuroria nuk është në ditët e saj më të mira. Në një bilanc të institucionit që drejton, Balla ka deklaruar se sistemit i mungojnë 107 prokurorë, duke shtuar  se 88 janë ende ne proces dhe 50 të pezulluar ne KPK

Balla bëri me dije se KLP bashkë me Prokurorin e Përgjithshëm ka propozuar që vakancat t’i mbushë përmes emërimeve të reja që dalin nga shkolla e Magjistraturës dhe madje dhe ata të kenë të drejtë të firmosin.