SYRI TV/ Zoto merr 100 mijë eurot e para për vitin 2023, AKUM vijon pagesat për landfillin e Vlorës

Klodian Zoto, bosi i inceneratorëve në kërkim për korrupsion dhe pastrim parash, vijon të marrë miliona euro nga buxheti i shtetit.  Agjencia Kombëtare e Ujësjellës- Kanalizimeve dhe Mbetjeve Urbane ka kaluar në llogari të tij 100 mijë eurot e para për vitin 2023.  Pagesa është kryer për vijimin e e punimeve të ndërtimit të landifillit të Sherishtës në Vlorë.  Megjithëse kontrata parashikonte përfundimin e punimeve brenda një viti, kanë kaluar 3 vjet dhe landfilli i Sherishtës nuk është përfunduar.

Nga SYRI TV

Viti 2023 duket se do të jetë sërish fitimprurës për biznesmenin e plehrave, Klodian Zoto. Kjo duket që në ditët e para të janarit.

Në mes të kësaj jave, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Mbetjeve Urbane, AKUM, ka kaluar në llogaritë e shoqërisë së tij “Integrated Technology Service” plot 133 milionë lekë të vjetra ose rreth 100 mijë euro.

Pagesa është kryer për vijimin e punimeve të ndërtimit për landfillin e Sherishtës, në Vlorë.

Kompania kryesore e Zotos dhe një shoqëri italiane fituan në qershor të vitit 2020 një tender sekret me vlerë rreth 10 milionë euro për ndërtimin e vend-depozitimit të mbetjeve urbane të Vlorës.

Kontrata parashikonte përfundimin e punimeve brenda një viti. Por, kur kanë kaluar rreth 3 vjet nga nisja e punimeve, landfilli i Sherishtës nuk është përfunduar. Megjithatë, agjencia në varësi të ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, vijon të kryejë pagesat qindra-milionë lekë për kompaninë e Zotos.

Vonesat në përfundimin e investimit po sjellin pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin e qytetarëve vlonjatë.

Një situatë emergjente u krijua në fund të dhjetorit 2022, kur djegia e disa gomave në landfillin e vjetër shkaktoi një krizë të rëndë mjedisore në Vlorë.

Kompania kryesore e Klodian Zotos “ITS” është nën sekuestro prej dhjetorit të vitit 2021, pas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme lidhur me atë që konsiderohet si “afera e inceneratorëve”.

Shoqëria menaxhohet nga administratori shtetëror Farudin Arapi, por fitimet shkojnë sërish për pronarin e saj, Klodian Zoto, i cili vijon të jetë në kërkim për korrupsion dhe pastrim parash në projektet e inceneratorit të Elbasanit dhe të Fierit.

Ai rezulton i përfshirë edhe në inceneratorin e Tiranës, por deri më tani nuk është raportuar asnjë zhvillim nga Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion.