Marrëdhënia Rama-patronazhistë, licenca për të vjedhur!
Po ndodh pikërisht ajo që i trembeshim më shumë para zgjedhjeve të vitit 2021. Një mandat i tretë i Edi Ramës do sillte amulli në administratë dhe rrënim të mëtejshëm në ekonomi. Dhe ja ku jemi...
Administrata shtetërore është shndërruar jo vetëm në një vatër nepotizmi dhe militantizmi, por dhe një aspirante e denjë për qelitë e paraburgimit. Ata tashmë kërkojnë vetëm dy gjëra, të vazhdojnë të vjedhin dhe të pastrojnë paratë.
Edi Ramën po e zë pushteti nën vete. Megjithëse kontrollon çdo qelizë të jetës së këtij vendi, sërish ai nuk ka më nëpunës, nuk ka polici, nuk ka inxhinierë, juristë apo arkitektë, megjithëse me diploma mund të figurojnë të tillë. Sot ai ka një enturazh patronazhistësh që ka zënë vend në të gjitha nivelet e administratës dhe që nuk janë gjë tjetër vetëm se hajdutë taksash ose aspirantë për hajdutë. E them këtë sepse deri më sot nuk kam dëgjuar askënd që të ketë ndonjë lloj idealizimi. Pra, ose kanë zënë vendet e punës për të bërë korrupsion, ose synojnë ndonjë vend në administratë për tu shndërruar më pas në sekserë tenderash me qëllimin e vetëm, korrupsionin.
Por, në sistemin e ngritur nga Edi Rama është tejet logjike që të ndodhë kështu. Njerëzit shohin, militantët akoma më shumë. Kryeministrit i del emri në çdo aferë, të besuarit e tij bëjnë jetë sheikësh, dhe kjo shkon zinxhir deri në nivelet e dyta apo dhe të treta po të doni të administratës. Një miku im që rraskapitet për të mbajtur një biznes, por që halli e detyron të ketë punë me Bashkinë e Tiranës, më tregonte se si çunakë të Erjon Veliajt, që ende nuk kanë dalë nga veza, zotërojnë nga 2 apo tre apartamente në qendër të Tiranës apo në bregdet. “Unë kam më shumë se 25 vite që punoj dhe ende jetoj në apartamentin që më la babai”, do më shprehej. Natyrisht emrin e mikut tim s’kam ndërmend ta them këtu sepse dihet se çfarë i ndodh të nesërmen.
Dhe unë jam i prirur ta besoj sepse koha ka vërtetuar pikërisht këtë. Për shembull, ish-deputeti Alqi Bllako, i arrestuar për aferën e inceneratorëve, përpara se të futej në administratë, iu ofrua një vend administratori në projektin e TAP me gati 10 mijë euro në muaj, që ai e refuzoi. Në vend të tij ai zgjodhi Drejtorin e Përgjithshëm të Ujësjellësve me një rrogë dhjetëfish më të vogël! Përse? Siç do rezultonte më pas ai do të zhvillonte një nga fushatat më të shtrenjta në Tiranë në zonën e Shkozës. “Gojët e liga” shprehen se fushata e tij mund të ketë kushtuar deri në 1 milion dollarë...
Ose, ose dhe rasti i Alda Klosit, ish-drejtoresha e Arben Ahmetajt. Emri i saj doli në skenë pasi në shtëpi iu vodhën nga Rozeta Dobi, sanitarja e saj qindra-mijëra euro të pajustifikuara. Pastruesja pretendon se ka vjedhur më shumë se 500 mijë. Vetë Klosi para kësaj ngjarjeje ishte një emër i padëgjuar më parë, pra mund të imagjinohet lehtësisht se çfarë ka ndodhur me ata që janë përfolur e stërfolur për afera të ndryshme, që nga rrugët, kullat, inceneratorët, tenderat etj, etj. Raste dhe krahasime të tjera ka pafund.
Në këto kushte, Rama është i pafuqishëm të bëjë diçka. I detyruar vetëm t’i vështrojë, ai mund të shkruajë e thotë vetëm ndonjë fjalë në lidhje me përgjegjësitë individuale sa herë që peshku i radhës bie në grepin e drejtësisë si pasojë e luftës së brendshme brenda pushtetit. Në këtë përplasje gjelash deri më tani duket se po fiton Erjon Veliaj dhe rasti i Ahmetajt është më domethënësi. Duke goditur Ahmetajn, ai nuk godet vetëm klanin e tij kundërshtar të Belindës, e cila me Ahmetajn kanë që jo pak të afërt, por direkt dhe Edi Ramën. Në aferën e inceneratorëve, në rast se hapet padi penale për Ahmetajn, natyrisht duhet të hapet dhe për Edi Ramën pasi Ministria e Financave ka qenë sugjeruesja, ndërsa firma për të marrë paratë nga thesari dhe rezervat e shtetit ka qenë e Ramës.
Nga ana tjetër, goditja e korrupsionit në administratë do ishte goditje e rrjetit të patronazhistëve, ose goditje direkt e pushtetit të kryeministrit. Rama është në borxh me ata, po aq sa janë ata në borxh me Ramën. Janë ata që manipulojnë zgjedhjet, është kjo armatë që shantazhon hallexhinjtë, janë pikërisht ata që në rrjetet sociale bëjnë agjit- propin, ose e thënë më thjeshtë janë paterica që mbajnë në këmbë sistemin e kalbur të Ramës. Si shpërblim marrin licencën për të vjedhur taksat e Shqiptarëve. Kjo është dhe arsyeja e asaj amnistisë së famshme në ekonomi. Pra, paratë s’mund të tolerohen më t’i vjedhin pastrueset nga sëndukët e shtëpive, por për to duhet të kujdesen bankat.
Pra, e thënë më pak fjalë, në rast se nuk përdor makinerinë e tij të hajdutëve për manipulim zgjedhjesh, Rama nuk ka asnjë shans që t’i fitojë ato. Pesha e pushtetit i është kthyer në një lak në qafën e tij. Në rast se do të lëvizte sadopak, pra të vinte në zbatim broçkullat, që thotë çdo ditë për luftën ndaj korrupsionit, përfundimi dihet. Prandaj si shpëtim ka parë Enkelejd Alibeajn, të cilin si një delirant lehtësisht i manipulueshëm, po e përdor në narrativën e tij për të mbajtur me çdo kusht pushtetin. Natyrisht duhet të jetë e rëndë për të, që shpresat për të mbajtur pushtetin t’i varë te një individ i tillë, por duket se nuk ka rrugë tjetër. Ose duhet të godasë korrupsionin, që do ishte si ta kthente koburen nga vetja, ose duhet të përdorë çdo kartë për të asgjësuar opozitën... E gjithsesi kjo vetëm mund t’i jepte pak kohë, por nuk do e shpëtonte nga goditja përfundimtare e pushtetit që e ka zënë nën vete tashmë dhe po i merr frymën. Pushtetit të tij të rreckosur nuk ka mbetur tjetër vetëm propagandës së Fugës, e cila rreket të dizenjojë një luftë të paqenë kundër korrupsionit. Sot ai nuk është gjë tjetër vetëm se një kandidat potencial për ‘Don Kishot’, që fati i keq i shqiptarëve është ta kenë kryeministër.