Skandalet në AKSHI dhe Ministrinë e Financave/ Berisha: Shtet i kalbur
Kryedemokrati Sali Berisha, në konferencën e fundjavës, tha se ky është shtet i kalbur. Ai solli në vëmendje edhe dy skandale të fundit.
“Skandal tjetër madhor, Erisa Fero, një kapobandë e vërtetë, drejtoreshë e kujt? E Mirlindës së mistershme. Mirlinda e mistershme është drejtoresha e AKSHI, një nga kampionët më kryesore si hajdute në historinë e këtij shteti.
Ajo është autore e 250 e ca prokurimeve sekrete publike. Mirlinda e Ramës, se varet direkt prej tij, është autore e shpenzimeve për mbrojtjen e mbi 200 milionë eurove për mbrojtjen e rrjeteve dixhitale, me zero efekt, sepse 80 përqind janë vjedhje.
Erisa bëhet drejtoreshë vetëm pse ndan me të, paratë e drogës. Nuk kishte asnjë meritë, asnjë kulturë, asnjë formim, asnjë arsim për të qenë drejtoreshë në AKSHI.
Ky është një shtet i kalbur. Seriali i skandaleve nuk ka fund,” tha Berisha.
“Në treg është edhe një skandal tjetër, për të cilin ka dy variante dhe ne po e ndjekim. Sipas njërit variant, Ministria e Financave dhe Sekretari i Përgjithshëm i saj ka paguar dy herë të njëjtin objekt.
Sipas një varianti tjetër, kjo nuk është e vërtetë. Ai ka zbatuar një vendim gjykate dhe kjo është hakmarrje mes zyrtarësh në nivele të dyta. Nëse është varianti i parë, është një krim i shëmtuar. Nëse është varianti i dytë, përbën përsëri një krim shumë të rëndë.
Sepse organizohen kurthe që nuk i shërbejnë luftës kundër korrupsionit, por të kundërtës. Sapo të bëjmë verifikimet, do kemi qëndrimin përfundimtar,” theksoi kreu i PD.