Dibër, AKU konfiskon 1 kuintal mish pa çertifikatë veterinare

Në Dibër, AKU ka konfiskuar 1 kuintal produkte mish që janë gjetur pa vulë dhe çertifikatë veterinare. Kësaj sasie nuk i dihej origjina dhe mbahej jo në kushtet e duhura higjieno-sanitare. AKU vuri afro 500 mije lekë gjoba në total në katër dyqane.

Trupat inspektuese të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, kanë ushtruar monitorime në qarkun e Dibrës, në subjekte që ushtrojnë aktivitetin e therjes dhe të tregtimit të mishit, thuhet në njoftimin zyrtar.

Gjatë ushtrimit të kontrolleve në katër subjekte është konstatuar tregtim i mishit pa vulë dhe çertifikatë veterinare, ushtrim i aktivitetit të tregtimit të mishit i paregjistruar në QKB, në mungesë gjurmueshmërie dhe kushteve higjieno-sanitare .

Për shkeljet e konstatuara, trupat inspektuese të AKU-së, vendosën masat administrative me gjobë në vlerën e 460.000 lekëve; konfiskuan rreth 1 kv produkte mishi si dhe ndaj një subjekti u mor masa e menjëhershme e ndërprerjes së aktivitetit të paregjistruar.”