Samiti i avionëve privatë/ Rama do shkojë bashkë me Vuçiçin në Davos

Më 16 janar, kryeministri Edi Rama, pritet të niset për në Davos, ku do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik që do të mbahet atje në datat 16 deri në 20 janar 2023.

Mësohet se, i pranishëm në këtë takim do të jetë edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Në forum do të marrin pjesë më shumë se 2700 liderë nga 130 vende. Takimi vjen ndërsa krizat e shumta thellojnë ndarjet dhe copëtojnë peizazhin gjeopolitik.

Udhëheqësit duhet të adresojnë nevojat e menjëhershme duke hedhur gjithashtu bazat për një botë më të qëndrueshme dhe më elastike deri në fund të dekadës. Çështjet që pritet të diskutohen janë krizat ekonomike, energjitike dhe ushqimore.

Por ndërkohë ky samit është etiketuar nga media botërore edhe si ‘forumi i avionëve privatë’.

Edhe pse një nga çështjet kryesore që do diskutohen do jenë ndryshimet klimatike, mësohet se vitin e shkuar në këtë forum u katërfishuan emetimeve të gazrave nga avionët privatë.

Plot 1040 avionë mbërritën në Davos për këtë forum.

Edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, fluturon me avion personal pas vetes. Ai është kryeministri i vendit më të varfër në kontinent, që ka një çarter personal.

Kujtojmë se një ditë më parë, mazhoranca e tij nuk pranoi ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për skandalin e fluturimeve me avion personal nga kryeministri shqiptar.

Ky skandal tronditi opinionin publik përpara disa kohësh, por për shkak se skandalet e kësaj qeverisje janë të përditshme, ai është lënë në harresë prej zhvillimeve dramatike të ditëve të fundit.