Dokumente sekrete në garazh/ ‘Kush i ka vizituar shtëpitë e Joe Biden?'

Presidenti amerikan, Joe Biden është në telashe serioze.

Dokumentet e klasifikuara po i gjenden ngado, jo vetëm në institutin e tij, por edhe në banesat private.

Madje në një banesë, ai mësohet se i mbante dokumentet e klasifikuara në garazhin e makinës ‘Corvette’.

Kjo gjë solli reagimin e ashpër të një gazetari, i cili e pyeti presidentin se si mund të mbajë dokumentet sekrete në garazh.

Por çështja ka marrë edhe përmasa institucionale.

Republikanët në Kongres po kërkojnë që të shohin listën e personave që kanë vizituar shtëpitë e Joe Biden.

Sipas BBC, ata argumentojnë se zbulimi i dokumenteve të klasifikuara në një prej banesave të tij është një rrezik për sigurinë kombëtare.

Biden pranoi të enjten se materialet sekrete janë zbuluar në garazhin e makinës.

Megjithatë Shtëpia e Bardhë u shmang nga pyetja se kur mund të jepeshin regjistrat e vizitorëve të shtëpisë së presidentit.

Departamenti i Drejtësisë thotë se ka caktuar një hetues special për të shqyrtuar këtë çështje.

Lajmet se dokumentet sekrete u zbuluan në qendrën ‘Penn Biden’, një institut kërkimor në Uashington, dolën në fillim të javës. Kjo u pasua nga zbulimi se të tjera dokumente ishin gjendur në shtëpinë e Biden.