SYRI TV/ Gjykata rrëzon dhe ndëshkon me gjobë dyshen Alibeaj-Basha

Gjykata e Apelit ka rrëzuar kërkesën e Enkelejd Alibeajt dhe Lulzim Bashës për të përjashtuar gjyqtaren Irida Kacerja nga gjykimi i çështjes për bashkimin e dy statuteve, atë të 17 korrikut dhe të 18 dhjetorit të vitit 2021.

Kjo kërkesë u bë në muajin dhjetor të vitit të shkuar nga Gazment Bardhi, i cili kërkoi përjashtimin e relatores Irida Kacerja, e cila sipas tij ka paragjykuar çështjen pasi kërkoi që avokati Rezart Kthupi, që zëvendësoi Indrit Sefën, të rregullonte prokurën e përfaqësimit.

Por gjykata vlerëson se kërkesa për përjashtimin e gjyqtarit për shkak të vendimeve të ndërmjetme, jo vetëm që nuk gjen mbështetje ligjore, por përkundrazi vjen ndesh me parimin e pavarësisë dhe paanësisë së gjykatës. 

Në njoftim theksohet se është detyrë e gjykatës që të verifikojë prezencën e palëve në proces apo të përfaqësuesve të tyre, përfshirë tagrat e përfaqësimit.

Vendimi i Gjykatës së Apelit

-Mospranimin e kërkesës së ankuesit Partia Demokratike e Shqipërisë për përjashtimin e gjyqtares Irida Kacerja.

-Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen kërkuesit.

-Gjobitjen e kërkuesit Partia Demokratike e Shqipërisë në shumën 10,000 (dhjetëmijë) lekë.

-Ky vendim është i formës së prerë.

-Një kopje e vendimit t’u komunikohet gjyqtares Irida Kacerja dhe kërkuesit Partia Demokratike e Shqipërisë.

Seanca e radhës për këtë çështje në Gjykatën e Apelit Tiranë është caktuar në 17 janar në orën 09:00 të mëngjesit.