VIDEO/ ‘Kemi qenë 17 vetë brenda, shpërthimi ishte i fuqishëm’, babai i shefit të Krimeve: I kërkoj shtetit…

Në orët e para të mëngjesit një sasi lëndë plasëse ka shpërthyer para banesës së shtetasit Pëllumb Shpati në lagjen Dobraç, me detyrë shef Seksioni për Hetimin e Krimeve, në komisariatin e Policisë Shkodër.

Si pasojë e këtij shpërthimi janë shkaktuar dëmtime në banesën e tij si edhe është dëmtuar automjeti i tij.

Ndërkohë ka folur për mediat babai i shefit të Krimeve në Policinë e Shkodrës.

Gjergj Shpati ka rrëfyer ngjarjen e ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në Shkodër, ku iu vendos eksploziv banesës së shefit të krimeve Pëllumb Shpati.

“Ka ndodhur në orën 4 të mëngjesit. Ishim gjithë në gjumë. Ishte shpërthim i fuqishëm. Mendoj se ka ardhur për shkak të detyrës së djalit. Probleme me kënd nuk kemi patur. I kërkoj shtetit që të bëjë detyren dhe ta zbardhë. Kemi qenë 17 vete brenda shtëpisë, 3 familje nga kati i parë në të tretin”, deklaroi Gjergj Shpati, babai i shefit të Krimeve Shkodër.