Shkodër, shpërthim eksplozivi përpara shtëpisë së shefit të Hetimit të Krimeve

Në Dobraç të Shkodrës, një shpërthim eksplozivi ka ndodhur përpara shtëpisë së shefit të Hetimit të Krimeve, Pëllumb Shpatit gjatë natës. Nga shpërthimi nuk ka patur pasoja në njerëz, por vetëm dëmtime të banesës dhe të automjetit të tij. Policia e Shkodrës tha se ka siguruar prova për identifikimin e autorëve.

Në njoftimin paraprak të Policisë, thuhet:

"Rreth orës 3:50, në lagjen Dobraç, ka shpërthyer një sasi lënde plasëse përpara banesës së shtetasit P. Sh., me detyrë shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve, në Komisariatin e Policisë Shkodër.  

Për pasojë janë shkaktuar dëmtime të lehta në banesën e tij si dhe është dëmtuar automjeti i tij. 

Grupi i posaçëm hetimor i ngritur për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, nga veprimet e para hetimore, ka siguruar prova që do të çojnë në identifikimin dhe kapjen e autorit apo të autorëve. 

Nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, vijon puna për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje."