Brazil/ Policia gjen një projekt-dekret që synonte grusht shteti në shtëpinë e ish-ministrit të Bolsonaros
Policia braziliane duke kontrolluar shtëpinë e ministrit të drejtësisë të ish-presidentit Jair Bolsonaro gjeti një projekt-dekret që propozonte vendosjen e një gjendjeje mbrojtjeje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vendit, tha zëdhënësja e ministrisë për CNN.
Zëdhënësja e Ministrisë së Drejtësisë, Lorena Ribeiro tha se Policia Federale e gjeti dokumentin gjatë kryerjes së një kontrolli në shtëpinë e Anderson Torres të martën, për të cilin ishte lëshuar një urdhër arresti.
Ajo tha se ky projekt -dekret përfshinte një "gjendje mbrojtjeje" nga Gjykatën e Lartë Zgjedhore ndërsa Bolsonaro ishte ende lider në mënyrë që të përmbyste fitoren e rivalit të tij, Luiz Inácio Lula da Silva, në zgjedhjet e tetorit.
Drafti nuk ishte nënshkruar nga Bolsonaro, tha Ribeiro.
Gjendja e mbrojtjes është një masë ligjore që lejon Presidentin në detyrë të ndërhyjë në fusha të tjera të qeverisjes për të siguruar rendin publik.
Ndërsa Bolsonaro humbi zgjedhjet e tetorit, ai qëndroi president deri në fund të dhjetorit.
CNN nuk e ka parë dokumentin dhe Torres – i cili shërbeu si ministër i drejtësisë derisa administrata Bolsonaro u largua nga detyra – ka lëshuar një deklaratë në mediat sociale duke mohuar se ai ishte autori i dekretit.
“Si Ministër i Drejtësisë përballemi me seanca dëgjimore, sugjerime dhe propozime nga më të ndryshmet”, ka shkruar ai.
"Në shtëpinë time kishte një grumbull dokumentesh për t'u hedhur, ku me shumë mundësi u gjet materiali i përshkruar në artikull," shtoi ai.
Torres sugjeroi se drafti i dekretit ishte zbuluar qëllimisht në media për ta diskredituar atë.
“Dokumenti i cituar u mor kur unë nuk isha atje dhe doli jashtë kontekstit, duke ndihmuar në nxitjen e narrativave të gabuara kundër meje. Ne ishim ministria e parë që dorëzoi raportet e menaxhimit për tranzicionin (të pushtetit)”, tha ai.
“Unë e respektoj demokracinë braziliane. Unë e kam ndërgjegjen e pastër për rolin tim si ministër.”
Pas largimit nga qeveria, Torres mori detyrën si kreu i Sigurisë për Distriktin Federal të Brasilias, por u shkarkua të dielën pasi protestuesit tejkaluan barrierat e policisë dhe depërtuan në ndërtesat qeveritare.
Ai kishte udhëtuar në Orlando, Florida, gjoja me pushime, vetëm disa ditë para trazirave dhe ndodhej aty teksa ngjarjet po zhvilloheshin.
Torres u zotua të shkurtojë pushimet e tij dhe të përballet me drejtësinë pasi urdhrat e kërkimit dhe arrestimit u lëshuan nga Gjykata e Lartë braziliane, duke mohuar çdo keqbërje.
Gjykata e Lartë Federale e Brazilit i dha Torres një urdhër paraburgimi në bazë të një urdhër-arresti të lëshuar të mërkurën.
Drafti i dokumenteve u raportua për herë të parë nga gazeta braziliane Folha de S. Paulo të enjten.
Ministri i ri i Drejtësisë i Brazilit, Flavio Dino i tha CNN Brasil të enjten se ekzistenca e projekt-dekretit ishte "i tmerrshëm"
“Nuk kisha akses në dokument dhe sipas raporteve të shtypit, ishte një dekret për një grusht shteti që thekson atë që pamë më 8 janar (ditën e trazirave), që nuk ishte një rast i izoluar. Ishte një element i një zinxhiri, një hallkë në një zinxhir grusht shteti në Brazil që kishte akte përgatitore dhe befasuese, siç ishte një dekret i ndërhyrjes ushtarake në Gjykatën Zgjedhore, i cili është antikushtetues”, tha Dino.
Ai gjithashtu kritikoi Torresin për mbajtjen e dokumentit në shtëpinë e tij.
“Një agjent publik, pasi merr dijeni për një krim, nuk duhet ta mbajë një dokument të tillë në shtëpi. Është diçka që vërtet tregon vullnetin e mbylljes së Gjykatës së Lartë, Kongresit, për të penguar lirinë e popullit brazilian për të zgjedhur sundimtarët e tyre. Dhe të gjitha përpjekjet dështuan, përfshirë atë të 8 janarit.” tha Dino.