'S’kemi humbur asgjë, PL është mësuar me këto gjëra'/ Meta flet për largimin e Agron Çelës: Na hapi rrugën për…

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta thotë se largimi i Agron Çelës nga forca e tij politike dhe bashkimi me PS-në, nuk i ka bërë asnjë dëm. Meta thotë se PL-ja është mësuar me këto largime, por ka vërtetuar se ka marrë më shumë vota më pas.

Në një intervistë për “Report Tv”, Meta shtoi se një akt i tillë i Çelës ishte i pritshëm pasi ai nuk ka folur asnjëherë kundër qeverisë.

Ish-Presidenti shtoi se largimi i Çelës i hapi rrugën PL-së për të fituar dy mandate në Shkodër në zgjedhjet e 14 majit.

Pjesë nga intervista

Gazetari: A krijon një problem?

Meta: Asnjë problem. A ke ndonjë video në Parlament ku flet kundër qeverisë që prej 25 prillit?

Gazetari: Është e shëmtuar.

Meta: Jo jo s’është problem se është e shëmtuar. E pamoralshme është që të shkosh në një parti kur është në pushtet, dhe të largohesh ku është në opozitë. Kjo makineri propagandistike për një deputet që nuk ka folur kurrë në Parlament kundër qeverisë. Ishte e drejta e tij të mos fliste. Kurrë nuk ka votuar kundër qeverisë. Në një parti që një deputet ka vlerën e 3-4 mandateve. Çfarë ka humbur opozita këtu?

Gazetari: Zoti Çela dhe influenca e tij në Shkodër, ka qenë e rëndësishme për partinë tuaj?

Meta: Unë mendoj se PL dhe ish-LSI ësht ëmësuar me fenomene të tilla. Në Fier na ikën dikur dy deputetë dhe u bë qameti. Mori dyfishin LSI-ja në Fier pastaj. Është hapur rruga për dy mandate në Shkodër. Ashtu e ka gjykuar, nuk ka asnjë shqetësim. Në një shtet si ai i Edi Ramës, kështu ndodh, në një moment kërcen me Monikën dhe më pas me Elisën. Kjo mund ta dëmtonte më shumë duke mos ikur me PS-në.