Policia bastis shtëpinë e Alda Klosit/ Çfarë u gjet brenda banesës së zyrtares së Ahmetajt
Me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës dhe firmë të Gjykatës, një ditë më parë në banesën ku jetonte Alda Klosi janë ushtruar kontrolle.
Nga të dhënat e deritanishme, mësohet se përveç kontrollit, është marrë për herë të tretë në pyetje ish-zyrtarja e lartë e kabinetit "Ahmetaj".
Burime bëjnë me dije se Klosi ka rikonfirmuar në dëshminë e saj se nuk janë të sajat paratë e gjetura gjatë fazës së dytë të operacionit në banesën e Rozeta Dobit, e përkatësisht mbi 404 mijë euro të fshehura në tubin e aspirimit. Në total, sanitarja arriti të vjedhë rreth 550 mijë euro, para të cilat u gjetën në shtëpinë e saj dhe janë sekuestruar.
Ndërkohë që prokuroria mbetet e rezervuar në lidhje me konstatimet e deritanishme nga hetimet që po kryhen ndaj Klosit në kuadër të pasurisë.
Akuza e kryeqytetit ka shtrirë hetimet në deklarimet e pasurisë së Klosit, pronat ku është pronare apo bashkëpronare, mënyrën se si i ka siguruar si dhe për sigurimin e të dhënave nga sistemet bankare, nga të cilat ka kërkuar informacion.
Nga ana tjetër, nuk ka ende të dhëna nëse gjatë kontrollit në banesën e saj është gjetur ose jo diçka e dobishme për hetimin.
Paralelisht, veprime ka patur nga organi i akuzës së kryeqytetit edhe në lidhje me të pandehurit Rozeta e Havier Dobit, që ndodhen pas hekurave për vjedhjen e përvetësimin e paligjshëm të qindra-mijëra eurove dhe sendeve me vlerë.
Është pyetur Rozeta Dobi rreth shumës prej më shumë se 404 mijë eurove të gjetura në tubin e aspirimit dhe mënyrës se si janë përvetësuar, duke i kujtuar asaj edhe pozitat lehtësuese nëse shpreh bashkëpunim.