Batuta me rojën e pishinës/ Mos e humbisni ‘perlën’ e Xhafkës për Alibeajn
Gazetari Agim Xhafka ka “thumbuar” Enkelejd Alibeajn, i cili reagoi sot pas përjashtimit të 4 deputetëve nga Grupi Parlamentar dhe tha se është drejtuesi i PD-së pas dorëheqjes së ish-kryetarit Lulzim Basha.
Me anë të një statusi në rrjetet sociale, Xhafka tregon historinë e Hasanit, rojes së pishinës që ia ka kujtuar Alibeaj.
Ai tregon se kampioni i notit u sëmur një ditë para garave dhe Hasani propozoi që në vend të tij të garonte Tirka, i cili nuk dinte fare not, pavarësisht se shkonte çdo ditë në pishinë.
“Kur dëgjova Alibeajn të thosh se jam kryetar i PD nga që më ka vënë Basha më erdhi ndër mend Hasani, roja i pishinës në Korçë. Një ditë para garave të notit kampioni i qytetit u operua nga apandesiti. Ngeli ekipi batall.
- Në vend të tij të vëmë Tirkën, bre. Vjen çdo mëngjes në pishinë. Më të rregullt nuk gjen, - propozoi Hasani.
-Më vini, më vini, - u gëzua Tirka.
-Cilin stil noti di më shumë? - e pyetën.
-Po ç’llafos bre byrazer, unë nuk di fare not. Vij çdo ditë në pishinë që të shtyj kohën, - tha ai.
Po Hasani sërish ngulte këmbë.
-Nuk di not vërtet, ama çdo mëngjes te pishina e ke. Jam unë dëshmitar”, shkruan gazetari.