Galtier i lumtur me rikthimin e Messit me PSG-në: Pamë sërish lojtarin më të mirë në botë
Trajneri i PSG-së, Christophe Galtier, lavdëroi yllin Lionel Messi pas një paraqitje mahnitëse në kthimin e tij nga festimet e Kupës së Botës.
Messi ishte vendimtar në ndërtimin e golit të parë dhe shënoi të dytin pasi PSG mposhti Angers 2-0 në ‘Parc des Princes’..
Nuk ishte ndeshja më e mirë nga liderët e ligës, por Messi ishte edhe njëherë më i miri, duke u dëshmuar se ishte krijuesi i lojës së parisienëve.
“Pamë sërish lojtarin më të mirë në botë”, tha Galtier për ‘Prime Video’ pas ndeshjes.
“Leo donte të luante, u kthye mirë fizikisht dhe kur e kemi në fushë, ne kemi shanse të garantuara. Ai ishte në gjendje të luante të gjithë ndeshjen, kjo është shumë mirë”.
Messi u rikthye në skuadrën e PSG-së pas një periudhe të gjatë largimi nga klubi pas fitores së tij në Kupën e Botës me Argjentinën.