SYRI TV/ Në krahë për t’i çuar fëmijët në kopsht, rruga e Fishtës në Lezhë - e amortizuar
Rruga që të çon në kopshtin e fshatit Fishtë të Lezhës, është mjaft e amortizuar. Prindërit detyrohen t’i marrin në krahë fëmijët për shkak të gropave, ku situata është më vështirë në dimër. Ata pohojnë se prej 5 vitesh në këtë segment, nuk është bërë asnjë ndërhyrje.
Nga SYRI TV
Kjo është e vetmja mënyrë që fëmijët e fshatit Fishtë të Lezhës, bëjnë çdo ditë për të shkuar në kopsht, ku situata bëhet më e vështirë në ditë me reshje.
Rruga që të çon në shkollën e cila mban emrin e At Gjergj Fishtës, edhe pse është me pak se 200 metra, vuan nga mungesa e ndërhyrjes.
Ajo është e pakalueshme nga gropat dhe balta duke u bërë mjaft e vështirë për prindërit e gjyshërit që detyrohen t’i marrin në krahë. Ata thonë se kjo situatë vijon prej 5 vitesh dhe asnjë masë nuk është marrë për t’i dhënë zgjidhje problematikës.
Për shkak të rrugës e cila është totalisht e amortizuar, fëmijët shpesh herë detyrohet të mos shkojnë në kopsht. Kjo godinë tashmë nuk shërben më si shkollë, por vetëm si kopsht për shkak të numrit të ulët të nxënësve.