KQZ, Celibashi: Dokumentacionin e marrim nga Gjykata e Tiranës
Kryekomisioneri Shtetëror për Zgjedhjet, Ilirjan Celibashi deklaroi se aktualisht, Partia Demokratike ka përfaqësues në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Marash Logun dhe Indrit Sefën.
Megjithatë, Ilirjan Celibashi shtoi se nuk mungojnë as komunikimet me karakter profesional edhe me Ivi Kason.
Por Celibashi, në një deklaratë për mediat, nënvizoi se nëse do të vijë një kërkesë për regjistrim të përfaqësuesve të tjerë, KQZ-ja do të vlerësojë legjitimitetin e dokumentacionit të lëshuar nga gjykata.
I pyetur specifikisht se cilat janë dokumentet që vërtetojnë legjitimitetin e përfaqësuesve të PD-së, kryekomisioneri sqaroi se do të vlerësohet legjitimiteti i atyre personave që sjellin dokumente që vërtetojnë tagrin për të propozuar anëtarë në KQZ. Po ashtu Celibashi shtoi se KQZ, dokumentacionin e merr nga Gjykata e Tiranës.
Kryekomisioneri Shtetëror për Zgjedhjet, Ilirjan Celibashi thotë se mund të ketë votim elektronik edhe në dy bashki të tjera, përveç asaj të Vorës, në lidhje me zgjedhjet e 14 majit.
Në një deklaratë për mediat, Celibashi u shpreh se KQZ-ja i ka bërë kërkesë qeverisë për financim të projektit të votimit elektronik për 6 bashki.
Por për shkak të kohës në dispozicion, votimi elektronik mund të realizohet në dy bashki.