Takimi elektoral me policinë/ Rama: Zbardhni zhdukjen e Ervis Martinajt
Mbrëmjen e kaluar, në shkelje të ligjit elektoral por edhe të statusit të Policisë së Shtetit, kryeministri Edi Rama mblodhi drejtuesit e uniformave blu në një darkë.
Pasi takimi u cilësua një skandal jo vetëm nga opozita shqiptare, kryeministria shpërndau në mediat pranë qeverisë një njoftim ku thuhet se ishte diskutuar edhe për zgjedhjet, por se Rama u kishte kërkuar të mos ndërhyjnë në fushatë.
Po ashtu, në një njoftim informal, thuhet se Rama ka kërkuar goditje të zyrtarëve dhe punonjësve shtetërorë të përfshirë në paligjshmëri dhe korrupsion, kjo ndikuar edhe nga rasti i fundit i Alda Klosit.
Në njoftim thuhet se një porosive të Ramës ka qenë edhe zbardhja sa më e shpejtë e ngjarjeve kriminale që kanë mbetur mister, përfshirë këtu edhe misterin e zhdukjes së Ervis Martinajt.
Takimi vjen përpara zgjedhjeve vendore dhe është një vazhdimësi e deklaratave skandaloze të Edi Ramës, kur u kërkoi policëve të mbledhin vota për PS-në.