Policia anti-terror në Britani nis hetimet për uraniumin e zbuluar në aeroport

Policia kundër terrorizmit në Mbretërinë e Bashkuar ka nisur hetimet pasi një ngarkesë e kontaminuar me uranium u kap në aeroportin Heathroë të Londrës.

Forca e Policisë Metropolitane konfirmoi se një kontroll rutinë nga oficerët e kufirit zbuloi një "sasi të vogël materiali të kontaminuar" në një fluturim për pasagjerë nga Omani më 29 dhjetor.

"Absolutisht nuk duhet të jetë në një avion komercial," tha Hamish De Bretton-Gordon, ish-kreu i Njësisë së Armëve Kimike të Ushtrisë Britanike.

"Ne mund të lëvizim materiale bërthamore si uraniumi dhe plutoniumi nëpër botë. Zakonisht bëhet në kuti shumë të mbrojtura, herë pas here nga ajri, por jo në avionë komercialë," shpjegoi ai.

Uraniumi është një metal radioaktiv i cili është i dëmshëm për njerëzit. Raportet e mediave sugjerojnë se ai u gjet në një ngarkesë me hekur për skrap me origjinë nga Pakistani.

"Ajo që mund të nënkuptojmë është se nëse Londra po përdoret për të tregtuar dhe provuar aftësinë e kampionimit të asaj që mund të shitet, kjo është shumë serioze dhe nëse po, është një tregues i pjesës së ndërtimit të armëve," tha. Dr Sally Leivesley, një konsulente për menaxhimin e rrezikut.

Autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar kanë thënë se hetimet janë në vazhdim dhe këmbëngulin se nuk ka asnjë rrezik për publikun. Asnjë arrestim nuk është bërë.

Policia Metropolitane tha se një kontroll rutinë në aeroportin Heathrow kishte zbuluar një paketë që përmbante një material "të kontaminuar" me uranium - i cili mund të përdoret në të ashtuquajturat bomba të pista, të dizajnuara për të shpërndarë materiale radioaktive.

"Alarmet u ndezën" kur skanerët zbuluan materialin bërthamor të padeklaruar teksa po dërgohej në një depo  mallrash në pronësi të firmës së trajtimit Swissport më 29 dhjetor.

Uraniumi ishte në një ngarkesë me skrap metali. Pakoja i dërgohej shtetasve iranianë në Mbretërinë e Bashkuar dhe mbërriti me një avion nga Omani, me origjinë nga Pakistani.