Skandali në SHBA/ Qendra e Biden është një 'fole e parave të errëta'

Instituti i Joe Biden, ku u gjetën disa dokumente të klasifikuara, është një ‘fole’ e parave të errëta. Kështu shkruajnë mediat amerikane, të cilat i bëjnë jehonë skandalit më të fundit të presidentit amerikan.

Sipas Neë York Post, kjo qendër e njohur me emrin ‘Penn Biden’ është një ‘mulli patronazhi’ për administratën e Biden. Kujtojmë se në këtë qendër ka qenë i punësuar edhe Sekretari aktual i Shtetit, Antony Blinken.

Kritikët thonë se krijimi i kësaj qendre nga Biden ka tërhequr miliona dollarë dhuratë nga donatorë anonimë kinezë. Të mërkurën u raportua se në këtë qendër janë gjetur edhe një grup i dytë me dokumente të klasifikuara.

“Qendra ‘Penn Biden’ është një makth i parave të errëta, ku konkurrentë të huaj si Kina kanë dhuruar miliona dollarë, në mënyrë që të kenë akses te zyrtarët e ardhshëm të rangut të lartë,” tha Tom Anderson, drejtor i Projektit për Integritet Qeverisës.

Shumica e donacioneve anonime në drejtim të Universitetit të Pensilvanisë erdhën kur deklaroi se do të hapë një qendër akademike me emrin e Biden. Universiteti i Pensilvanisë ka marrë të paktën 54.6 milionë dollarë donacione nga Kina.

Mes personave të punësuar në këtë think-tank ishin edhe Sekretari aktual i Shtetit, Antony Blinken, Ndihmëssekretari i Mbrojtjes, Colin Kahl dhe këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Steven Richetti. Mësohet se instituti i Biden i ka paguar Blinken rreth 79 mijë dollarë për vetëm gjashtë muajt e parë të vitit 2019.

Që kur kjo qendër hapi dyert, ajo ka pranuar miliona dollarënë donacione nga Kina. Në vitin 2020 u depozitua një padi, ku thuhej se kjo qendër ka marrë 22 milionë dollarë donacione nga Kina.

Vetë presidenti Joe Biden u shpreh i habitur në lidhje me zbulimin e dokumenteve të klasifikuara në qendrën ‘Penn Biden’. Ai tha se nuk e dinte se çfarë kishte në këto dokumente. CNN nga ana tjetër ka paralajmëruar se Republikanët mund të ngrenë një komision hetimor për këtë skandal. Instituti ‘Penn Biden’ është i lidhur me Universitetin e Pensilvanisë dhe është hapur në Uashington në shkurt të vitit 2018.

Ky lajm vjen pasi Biden më herët e kishte kritikuar ish-presidentin Donald Trump kur FBI gjeti dokumente të klasifikuara në banesën e tij në Florida. “Si mund të ndodhte kjo? Si mund të jetë dikush kaq i papërgjegjshëm,” pati deklaruar Biden.