Milani u eliminua nga Kupa e Italisë, Pioli ndalon lojtarët të kthehen në shtëpi

Torino mposhti në “San Siro” me rezultatin 0-1 Milanin, një ndeshje e vlefshme për Kupën e Italisë.

Kuqezinjtë zhgënjyen në performancën e tyre teksa e pësuan në minutën e 114-të të kohës shtesë, edhe pse kundërshtari prej minutës së 70-të luante me një lojtar më pak.

Pas sfidës, trajneri Stefano Pioli ishte tejet i mërzitur ndërsa ndëshkoi skuadrën me lojtarët që qëndruan të grumbulluar në Milanello.

“Zhvilluam një ndeshje serioze ndaj një kundërshtari mjaft të vështirë. Ndoshta nuk treguam kualitet të mjaftueshëm, sidomos kur Torino mbeti me 10 lojtarë në fushë. Duhej të kishim punuar më shumë për të gjetur hapësira në mbrojtjen e tyre, është një zhgënjim i madh dhe më vjen shumë keq.

Duhej të ishim më të qartë në fushë, nuk mund të pësonim në kundërsulm. Skuadrës i mungoi pasimi i fundit dhe tashmë duhet të rinisemi edhe më të vendosur.

De Ketelaere? E aktivizova sepse është një lojtar i rëndësishëm, luajti në një pozicion pak të ndryshëm nga ai që është mësuar, kjo sepse Giroud është stërvitur pak pas Kupës së Botës dhe nuk mund të luajë çdo tre ditë. Mendoj se De Ketelaere zhvilloi një ndeshje të mirë, por e përsëris që ashtu si ai edhe e gjithë skuadra duhej të bënte më shumë”, deklaroi tekniku i kuqezinjve.