SYRI TV/ Historia që çoi pas hekurave zyrtarin e Ministrisë së Financave
Arrestimi i Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Financave, Arlind Gjokutaj ka ardhur për një pronë objekt-kompensimi nisur në vitin e largët 1992. Syri TV sjell më shumë detaje nga dyshimet e prokurorisë për shpërdorim detyre të zyrtarëve të lartë të këtij dikasteri, të cilët favorizuan në mënyrë të kundërligjshme shtetasin Ilir Thana
SYRI TV
Prokuroria e Tiranës ka urdhëruar arrestimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Financave, Arlind Gjokutaj, dhe dy personave të tjerë, nën dyshimet se kanë kompensuar në mënyrë të kundërligjshme me rreth 480 milionë lekë të vjetra si ish-pronar shtetasin Ilir Thana, i cili nuk e gëzonte këtë status.
Historia e pronës objekt-kompensimi ka nisur në vitin e largët 1992. Në prill të atij viti, Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare i ka shitur Ilir Thanës një objekt magazinë e artikujve industrialë, me sipërfaqe 182.5 m2, në rrugën “Hilë Mosi” në Tiranë.
Në vitin 1995, Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka vendosur që këtë pronë t’ia kthejë ish-pronarit, e konkretisht trashëgimtarëve të Ihsat Libohovës. Prona i ishte konfiskuar Libohovës në vitin 1946, pasi ai ishte dënuar për “faje politike”. Brenda pronës së Libohovës gjendej edhe magazina nr.2, e cila i ishte shitur në vitin 1992 shtetasit Ilir Thana.
Ky vendim nxiti Ilir Thanën që t’i drejtohet gjykatës për të kërkuar magazinën, me argumentin se ai është pronar i ligjshëm. Rrugëtimi gjyqësor ka nisur në vitin 1996. Gjykata e Tiranës i jep të drejtë Ilir Thanës, i cili lihet në fuqi fillimisht nga Gjykata e Apelit në vitin 1997. Në vitin 1998, Gjykata e Lartë e rikthen çështjen për gjykim në Apel. Kjo e fundit, në vitin 2000, rrëzon pretendimet e Ilir Thanës. Ai vijon ta ndjekë çështjen në Gjykatën e Lartë dhe në Gjykatën Kushtetuese, deri kur humbi përfundimisht në vitin 2014.
Pasi humbi proceset gjyqësore, Ilir Thana kompensohet nga Ministria e Financave me vlerën e ponderuar të çmimit të blerjes së vitit 1992, e cila në vitin 2015 u përllogarit në shumën 284 mijë lekë të reja.
Këtu duhej mbyllur historia. Por, siç ka zbuluar Prokuroria e Tiranës, Ilir Thana, në bashkëpunim me përmbaruesin Alban Ruli, kanë bërë akte rivlerësimi për pronën magazinë, duke kërkuar kompensimin si ish-pronar në shumën 148 milionë lekë të reja. Këto akte, në mënyrë të kundërligjshme, janë pranuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Arlind Gjokutaj dhe Drejtori Juridik i institucionit, Fatmir Hoxhaj, të cilët kanë lëvruar në favor të Ilir Thanës deri më tani 48 milionë lekë të reja, në kundërshtim me ligjin.
Arlind Gjokutaj, i arrestuar këtë të mërkurë, ka mbajtur poste shumë të rëndësishme në qeverinë Rama, si Drejtor i Përgjithshëm i Doganave dhe Drejtues i Zyrës Anti-Korrupsion në Kryeministri.