Vrau gjyshen e tij me çekiç, tani po lufton për Putinin në frontin ukrainas
Për shkak se po i mbarojnë ushtarët, diktatori rus, Vladimir Putin ka dërguar në frontin e luftës mijëra të burgosur. Bëhet fjalë për mbi 40 mijë krimnelë. Mes tyre edhe njëri që vrau gjyshen e tij
BILD
Ata janë vrasës, hajdutë dhe grabitës.
Por në Rusinë e sotme, hajdutët po festohen si heronj dhe po mbushen me dekorata nga despoti i Kremlinit, për sa kohë luftojnë për të në front kundër Ukrainës.
Dmitry Karjagin është një prej tyre. Në vitin 2014, ai thuhet se e kishte bindur gjyshen e tij që të shesë apartamentin e saj për rreth 11 mijë euro.
Ai më pas e çoi gruan 87-vjeçare, e cila kishte luftuar kundër nazistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore, në një garazh ku e goditi për vdekje me një çekiç.
Për të afërmit, të cilët nisën të pyesin se ku ishte zhdukur e moshuara, ai tha se ajo ishte larguar për një udhëtim.
Por vrasja u zbulua dhe rusi u dënua me 14.5 vjet burg.
Në fillim të janarit, vetëm gjashtë vite pas dënimit të tij, vrasësi i gjyshes së tij u shfaq në internet. Në profilin e tij në median sociale, ai shkruante se po shërohej nga plagët e luftës dhe se shpresonte të kthehej së shpejti në shtëpi.
Ashtu si 40 mijë kriminelë të tjerë, Karjagin nënshkroi një kontratë me grupin mercenar Wagner, i cili garanton mosndëshkimin e autorëve të dënuar në burgj pas gjashtë muajsh shërbimi ushtarak në Ukrainë.
Në një video të fundit, shefi i grupit famëkeq mercenar, Yevgeny Prigozhin shfaqet duke u premtuar lirinë 20 burrave që i kishin mbijetuar luftës në Ukrainë.