'E vrau mafia e djegësave'/ KSHH: Hetimet për Sheshin po zvarriten

Hetimet në lidhje me vdekjen në qeli të Enver Sheshit, për ngjarjen e rëndë të ndodhur ditën e shtunë, kanë nisur nga ana e policisë gjyqësore. Deri më tani janë kryer veprimet paraprake, urdhëruar ekspertimi mjeko-ligjor dhe materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Tiranës.

Në lidhje me rastin në fjalë është aktivizuar edhe Komiteti Shqiptar Helsinkit, organizatë që mbikëqyr respektimin e të drejtave themelore të njeriut sipas konventës së ratifikuar nga Shqipëria.

Kryetarja e Komitetit, Erinda Skëndaj tha në një intervistë për Breaking në Top News se e kanë pasur të vështirë të mësojnë detaje në lidhje me vdekjen e Enver Sheshit, duke shtuar se përfaqësuesve të Komitetit u është bërë ping-pong nga institucionet.

“Nuk kemi arritur të marrim informacionin e plotë, jo vetëm për këtë rast, por edhe për raste të ngjashme, kujtojmë rastin e Bilbil Hasanit në vitin 2020. Na është komunikuar se s’mund të na jepet informacion për shkak se prokuroria është duke kryer një hetim. Ky informacion është kontradiktor me të dhënat e tjera, pasi kur kemi shkuar te prokuroria për të marrë informacion, aty kemi mësuar që prokuroria nuk ka nisur as hetimet dhe s’ka as referim me kallëzim për rastin konkret”, tha Skëndaj.

“Sa herë që ndodh një humbje jete nën mbikëqyrjen e autoriteteve shtetërore, është shteti që ka detyrimin dhe barrën për të provuar se trajtimi I personit ka qenë i mirë dhe nuk ka qenë shteti fajtor me veprimet, apo mosveprimet e tij, që ka çuar në humbjen e jetës së personit”, shtoi ajo.

Para dy ditësh, kryetari demokrat, Sali Berisha, tha se ka dyshime të forta se vdekja e Enver Sheshit, i cili ishte arrestuar për aferën e djegësave, është organizuar nga mafia e inceneratorëve.

"Vdekjet e dyshimta, eliminimet mafioze në burgjet e ferrit të Edi Ramës janë tashmë dukuri tragjike të zakonshme. Dje mediat njoftuan vdekjen e 59-vjeçarit Enver Sheshi, i arrestuar për skemë mashtrimi me TVSH në aferën e djegësave, ndërkohë që bosët e skemës Rama, Agaçi, Ahmetaj vazhdojnë vjedhjet me kompaninë e tyre të djegësave. Dyshime të forta kanë lindur për mbajtjen e tij në paraburgim.

Sipas disa mesazheve, vdekja e tij është organizuar nga mafia e djegësave, mbasi dinte shumë për djegesat. Të tjerë pretendojnë se kishte vendosur të dëshmojë me hollësi për skemën e vjedhjes së parave në djegësin e Fierit dhe si u ndanë ato.

Personalisht shtoj:

-Së pari, shpreh ngushëllime familjes për humbjen e njeriut të tyre të dashur.

-Së dyti, i bëj thirrje Avokatit të Popullit të ndërmarrë me urgjencë hetimin lidhur me rrethanat dhe shkaqet e vdekjes të të ndjerit Enver Shehu dhe të shqyrtojë në çdo aspekt vdekjen e të ndjerit Sheshi në paraburgim. Duke dënuar dhe njëherë kushtet çnjerëzore në burgjet e Shqipërisë", tha Berisha.