Mediat e mëdha ndërkombëtare: Sistemi i patronazhimit të Edi Ramës po sjell krim dhe korrupsion
Pavarësisht se një zyrtar i lartë boshnjak u sanksionua nga SHBA pasi kishte ngritur një rrjet patronazhimi, kryeministri shqiptar, Edi Rama, që ka krijuar rrjetin më të frikshëm të patronazhimit jo vetëm në Europë, nuk njeh të ndalur.
Para pak ditësh ai deklaroi se do të bëjë ‘tërmet’ në zgjedhje, ndërsa i ka inkurajuar patronazhistët që të vijojnë punën e tyre, madje duke e zgjeruar rrethin.
Por skandali i patronazhimit në Shqipëri është cilësuar si një problem i madh nga mediat e njohura ndërkombëtare. Sipas tyre, ky sistem patronazhimi është përgjegjës për krimin e organizuar dhe korrupsionin në vend.
Ditën kur u mbajt samiti i BE në Tiranë, gazeta autoritare në Gjermani, Frankfurter Allgemeine shkruante se shqiptarët po largohen për shkak të patronazhimit, korrupsionit dhe krimit.
“Rama çuditërisht nuk preket nga fakti se dhjetëra-mijëra shqiptarë janë larguar së fundmi nga varfëria në shtëpi, veçanërisht në Britaninë e Madhe, ku ministrja e Brendshme Suella Braverman premton se do të luftojë me vendosmëri këtë ‘pushtim’. Rama, nga ana tjetër, reagon i indinjuar deri në vrazhdësi ndaj raportimeve të medieve të pavarura për korrupsion, patronazhim dhe krim. Për problemet që kanë kontribuar ndjeshëm në faktin se në dhjetë vitet e fundit nga 400 mijë deri në 700 mijë, kryesisht të rinj shqiptarë, janë larguar nga vendlindja”, shkruante gazeta.
Kurse një ditë më parë, portali më famë ndërkombëtare, VICE, shkruante se Shqipëria është një narko-shtet. Një ekspert i BE, që foli në kushte anonimati, ngriti shqetësimin e patronazhimit.
Duke iu referuar arrestimit të një zyrtareje të qeverisjes së Edi Ramës me rreth 60 kg kanabis, eksperti shprehet se: “ky incident tregon vështirësinë për të luftuar korrupsionin në një mjedis patronazhi si Shqipëria”.