Ambasadorja e BE: Do t'i mbështesim përpjekjet e Shqipërisë për të trajtuar të kaluarën komuniste
Ambasadorja e BE-së, Christiane Hohmann, vizitoi dje Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, AIDSSH, ku u prit nga kryetarja Genta Sula dhe ekipi që e informuan znj.Hohmann për punën që po bëjnë për të hedhur dritë mbi një pjesë të errët të historisë së Shqipërisë.
Misioni i BE në Tiranë citoi fjalët e ambasadores Hohmann, e cila tha: "Puna e AIDSSH-së është thelbësore për të sqaruar kujtesën e një kohe të rëndësishme në historinë e Shqipërisë. Një vepër jashtëzakonisht e vlefshme për brezat e sotëm dhe të ardhshëm. BE do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e Shqipërisë për të trajtuar të kaluarën e saj komuniste, duke përfshirë edhe çështjen e personave të zhdukur”.