Besart Xhaferri: Tre arsye pse Tirana është qyteti më i pabanueshëm në Europë
Tirana është një paradoks për kostot e jetesës, pasi renditet si një nga qytetet më të shtrenjta në rajon.
Çmimet e larta të shtëpive në raport me të ardhurat, ndotja, fuqia e ulët blerëse, koha e qëndrimit në trafik, sistemi i pafavorshëm i kujdesit shëndetësor, janë disa nga treguesit që e bëjnë kryeqytetin shqiptar të pabanueshëm.
I ftuar në ‘Kafe Shqeto’ në Syri Tv, ishte kryetar i FRPD, Besart Xhaferri, i cili diskutoi mbi çmimet dhe jetesën në kryeqytet.
Xhaferri ka kujtuar Tiranën e viteve 2000, një qytet pa rrugë dhe kulla, duke u kthyer në një fjetore.
"Tirana ka qenë një fermë, një fushë e cila u kthye në beton. Të rinjtë kur vijnë në fillim, janë entuziast, por menjëherë e kuptojnë që ky qytet nuk është ai që i mirëpret për një jetesë më të mirë më standard më të lartë. Por pse po ndodhin këto ndryshime në infrastrukturë dhe në çmime në kryeqytet, unë mbështeten tek tre arsye të cilat janë të lidhura më pushtetin lokal dhe pushtetin qendror.
Kur Veliaj erdhi në pushtet, ndryshoi taksën e ndërtimit. Për një leje ndërtimi ishte 4% e kostos, ndërsa tani është 8% të shitjes. Këto taksa kalojnë tek blerësi dhe jo tek ndërtuesi, prandaj dhe çmimi i shtëpive është rritur. Arsyeja e dytë është narkoekonomia, të gjitha këto para që po vijnë në ekonominë shqiptare po shpërndahen në pak duar, jo proporcionalisht në duart e popullit.
Arsyeja e tretë është se edhe investitorët vijnë nga bota e trafikimit të lëndëve narkotike. Pra, për ata nuk ka rëndësi çmimi, por shitja.
Tirana është transferuar në një qytet të pajetueshëm, prandaj edhe rinia po largohet. 33% e popullatës tonë jeton në varfëri, por edhe 50% e atyre që kanë një rrogë, nuk mund të krijojnë kursime që të blejnë një banesë ose makinë në Tiranë", u shpreh Xhaferri.