SYRI TV/ Xhaferri komenton përjashtimin e 4 deputetëve: Është maskaradë, e mora vesh lajmin nga mediat

“Një maskaradë” e ka cilësuar deputeti demokrat Ferdinand Xhaferri, vendimin e Enkelejd Alibeajt për përjashtimin e  4 deputetëve demokratë nga grupi parlamentar. Xhaferri u shpreh se e mori vesh lajmin nga mediet, ndërsa tha se këto vendime të Alibeajt i shërbejnë vetëm  kryeministrit Edi Rama. 

Nga SYRI TV

Deputeti demokrat Ferdinand Xhaferri e cilësoi si një maskaradë, përdorimin që Enkelejd Alibeaj i bëri vendimit të falsifikuar të kryesisë së PD-së, duke përjashtuar nga grupi parlamentar 4 deputetë demokratë. 

Xhaferri deklaroi se e ka mësuar nga mediet, lajmin për përjashtimin e katër kolegëve të tij,  duke treguar mungesën e legjitimiteti të këtij vendimi, për të cilën nuk ka pasur asnjë mbledhje të  grupit parlamentar.

Xhaferri theksoi se veprimet e Alibeajt i shërbejnë vetëm kryeministrit Edi Rama, ndërsa u shpreh se firma e tij do të jetë vetëm për nisma që forcojnë opozitën.

Deputeti i Partisë Demokratike u ndal edhe te ndasitë që ka me kryetarin e Partisë Demokratike  Sali Berisha,  por kujtoi se  opozita betejën e ka vetëm me kryeministrin.

Deklaratat e deputetit demokrat u bënë një ditë pasi Enkelejd Alibeaj njoftoi se ka hyrë në fuqi, vendimi i Kryesisë për përjashtimin e katër deputetëve  demokratë, mes tyre edhe kandidati zyrtar i opozitës për bashkinë e Tiranës, Belind Kelliçi.