Lideri korean përmend kërcënimin serioz nga Koreja e Veriut

Seul, Kore e Jugut – Shtimi i testeve raketore të Koresë së Veriut, rritja e ambicieve bërthamore dhe aktet e tjera provokuese përbëjnë një “kërcënim serioz” që mund të çojë në një përllogaritje të gabuar e të rrezikshme dhe të shkaktojë një konflikt më të gjerë, tha të martën presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol.

Duke folur me Associated Press në zyrën presidenciale në Seul, lideri konservator përsëriti thirrjen e tij për bashkëpunim më të ngushtë të sigurisë me Shtetet e Bashkuara dhe Japoninë për të kundërshtuar "situatën e rrezikshme" që po krijohet nga Koreja e Veriut, ndërsa ai nënvlerësoi perspektivën për negociata të drejtpërdrejta si ato që ndiqi paraardhësi i tij liberal.

"Ne kemi parë që një llogaritje e gabuar ka çuar në luftëra serioze shumë herë në histori," tha Yoon, duke shtuar se arsenali bërthamor i Veriut në avancim përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për territorin e SHBA-së si dhe Korenë e Jugut dhe Japoninë e afërt.

Pjesa më e madhe e intervistës gati njëorëshe u fokusua në Korenë e Veriut, e cila kreu një numër rekord testesh raketash vitin e kaluar dhe vetëm javë më parë shkeli hapësirën ajrore të Koresë së Jugut duke lëshuar dronë përtej kufirit për herë të parë në pesë vjet.

Kjo shkelje kufiri e shtyu Korenë e Jugut të qëllonte për paralajmërim, të lëshonte avionë dhe të ngrinte dronët e vet mbi kufi.

Ditë më vonë, udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un e filloi vitin e ri duke urdhëruar zgjerimin "eksponencial" të arsenalit të tij bërthamor dhe zhvillimin e një rakete balistike ndërkontinentale më të fuqishme.

Disa ekspertë besojnë se  testimet kanë qëllim të modernizojnë një arsenal që Koreja e Veriut në fund të fundit do të dëshironte ta përdorte si levë në marrëdhëniet e ardhshme me Shtetet e Bashkuara për të hequr a lehtësuar sanksionet dhe koncesionet e tjera.

“Koreja e Veriut mund të ketë arsyet e veta të brendshme, por nuk ka asnjë mënyrë që vendi ynë apo ndonjë vend tjetër të dijë saktësisht pse po kryejnë provokime të tilla”, tha Yoon.

"Këto provokime të paligjshme të Koresë së Veriut mund të rezultojnë vetëm në forcimin e aftësive të reagimit të sigurisë (të Koresë së Jugut) dhe një forcimi të mëtejshëm të bashkëpunimit të sigurisë midis Koresë së Jugut, Shteteve të Bashkuara dhe Japonisë," tha ai.

Yoon, një ish-prokuror i lartë, mori detyrën në maj duke u zotuar të mbajë një qëndrim më të ashpër ndaj Koresë së Veriut. Gjatë fushatës zgjedhore presidenciale, ai e akuzoi paraardhësin e tij liberal, Moon Jae-in, se i ishte "nënshtruar" Koresë së Veriut.