Manja: Do propozojmë amnisti penale/ Çuçi: Pasaportat do i prodhojë shteti
Në Ministrinë e Brendshme ditën e sotme u zhvillua prezantimi i arritjeve të Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Drejtësisë për vitin 2022 si dhe objektivat për vitin 2023.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja tha se për herë të parë në sistemin e burgjeve numri i të paraburgosurve e tejkalon numrin e të dënuarve.
Ai tha se në vitin 2023 kanë si qëllim që t’i prezantojnë një amnisti penale për të ulur mbipopullimin në burgje
“Në sistemin e burgjeve, numri i të paraburgosurve tejkalon numrin e të dënuarve. Sa i përket paraburgimit, ne kemi një mbipopullim. Pse vjen kjo? Mbipopullimi ka shumë faktorë, por lidhet edhe me veprimtarinë e sistemit gjyqësor. Drejtësia është pushtet i pavarur, por sa i takon sistemit të hetimit dhe ndjekjes penale, në të gjitha rekomandimet tona ne kemi pjesë të rekomandimeve që prokuroria dhe sistemi i drejtësisë do duhet të aplikojë gjithë alternativat e dënimit. Për vitin 2023, nuk mund ta them saktësisht kohën, në objektivat tona është që t’i propozojmë parlamentit shqiptar miratimin e një amnistie penale. Kohën nuk mund ta them, por është objektivi ynë," tha ai.
Kurse ministri i Brendshëm deklaroi se pasaportat dhe kartat e identitetit do të prodhohen nga shteti. Bledi Çuçi tha se do të krijohet një kompani publike për të ofruar këtë shërbim pa zbuluar më shumë detaje. Koncensionari “Aleat” e përfundoi kontratën në dhjetor të 2022. Pritet që sipas kushteve të rëna dakord, kompania koncensionare të dorëzojë asetet dhe infrastrukturën tek shteti.
“Pritshmëritë që kemi për 2023, e para është sfida për të marrë në dorëzim të gjithë atë strukturë që është për printimin apo lëshimin e pasaportave. Ne do krijojmë një kompani shtetërore për këtë qëllim, që do jetë për shërbimin e prodhimit të dokumenteve biometrikë në përgjithësi duke trashëguar të gjithë asetet dhe burimet njerëzore që janë krijuar gjithë këto vite te kompania ALEAT, e cila ka prodhuar të gjithë këto dokumente, tashmë duke e marrë një kompani shtetërore”, tha ai.