SYRI TV/ Vonohet paga për punonjësit e Portit në Shëngjin: Patronazhistët marrin rrogë pa ardhur në punë

Punonjësit e Portit të Shëngjinit protestuan në ambientet e këtij institucioni për shkak të vonesave me pagat dhe mosmarrjes së shpërblimeve qeveritare. Punonjësit akuzuan se në këtë kompani janë punësuar patronazhistë që nuk paraqiten asnjëherë, ndërsa për punonjësit realë krijohen vonesa në pagesa.

Nga SYRI TV

Punonjësit e Portit të Shëngjinit zhvilluan një protestë në ambientet e këtij institucioni, për shkak të vonesave me pagat dhe mos marrjes së shpërblimit, qe qeveria ka miratuar për punonjësit e administratës.

Punonjësit thonë se në fund të muajit dhjetor kanë marrë pagën e nëntorit, ndërkohë që ende nuk janë paguar për dhjetorin e vitit 2022, ndërsa shkak i vonesave sipas punonjësve, është gjendja e vështirë financiare e shoqërisë së portit të Shëngjinit.

Vështirësitë financiare të portit i pranon dhe drejtori i shoqërisë Sandër Marashi, ndërsa shprehet se për shpërblimin e qeverisë, duhet miratimi i këshillit mbikëqyrës së portit.

Por, teksa porti ndodhet në vështirësi ekonomike, punonjësit akuzojnë drejtuesit se në këtë institucion punojnë patronazhistë të Partisë Socialiste, të cilët nuk paraqiten në punë, por marrin rrogën.

Ky pretendim i punonjësve u cilësua si i pavërtetë nga drejtori i Portit, Sandër Marashi.