Sulmi me armë biologjike/ Pse amerikanët e mësojnë gjithmonë të parët?

Nga Lynn Bentzen, BILD

Iraniani Monir J., 32 vjeç dhe vëllai i tij, Jalal (25 vjeç) dyshohet se po përgatisnin një sulm terrorist me armë biologjike në Gjermani. Pikërisht në kohën e duhur, oficerët elitë të policisë arrestuan dy personat gjatë fundjavës. Rezulton se informacionet kryesore për autorët kanë ardhur nga FBI.

E thënë më thjeshtë: ne i detyrohemi edhe njëherë shërbimit sekret amerikan për parandalimin e një sulmi të tmerrshëm terrorist në tokën gjermane.

Por si është e mundur që Amerika është më e informuar për atë që ndodh në Gjermani sesa ne? BILD foli me ekspertin e terrorizmit, Peter R. Neumann për këtë gjë.

Amerikanët përgjojnë shumë më intensivisht, shpjegon Neumann. Kjo dihet përgjithësisht. Ky fakt kritikohet shpesh, sidomos nga Gjermania, edhe pse në të njëjtën kohë, ne përfitojmë nga rezultatet e këtij përgjimi.

Neumann shpjegon arsyen e varësisë sonë nga Amerika si më poshtë:

“Autoritetet gjermane thjesht nuk kanë aftësinë për të përgjuar globalisht- dhe as nuk e bëjnë këtë. Ata varen nga njohuritë e Amerikës: pothuajse në çdo sulm terrorist të parandaluar në dhjetë vitet e fundit, të dhënat vendimtare vinin nga amerikanët dhe në raste të rralla informacioni vinte nga Izraeli”.

Sipas ministres së Brendshme, Nancy Faeser, autoritetet gjermane kanë parandaluar 21 sulme islamike që nga viti 2000.

Amerika ka një rrjet global satelitësh spiunë

Mungesa e njohurive në Gjermani ka të bëjë shumë me mbrojtjen të dhënave gjermane dhe ndjeshmëritë tona politike, thotë Neumann. Mbi të gjitha, megjithatë Amerika ka avantazhin sepse ka investuar në këto aftësi specifike.

“Amerika ka një rrjet global satelitësh spiunë që mund të përgjojnë në çdo vend të botës. Gjermania nuk e ka këtë dhe nuk do ta ketë kurrë,” thotë Neumann.

Nëse Gjermania dëshiron të jetë më pak e varur nga amerikanët, duhet të mendojë se si të zhvillojë aftësi të ngjashme. “Vështirë se do jetë e mundur vetëm për Gjermaninë, por ndoshta në rrjetin evropian,” thotë eksperti.

“Të jem i sinqertë, nuk e kuptoj pse duhet ta bëjmë veten më pak të varur. Nëse bashkëpunimi shkon mirë- dhe kështu duket për momentin- atëherë ky është padyshim një avantazh i aleancës transatlantike”.

Mua më shqetëson hipokrizia!

Ajo që Neumann kundërshton, megjithatë, janë standardet e dyfishta të Gjermanisë: “Ajo që më shqetëson nuk është se ne po marrim këtë informacion nga amerikanët, por hipokrizia: Nga njëra anë jemi të lumtur që e marrim këtë informacion, nga ana tjetër, ne kritikojmë amerikanët pikërisht për atë që përfitojmë”.

Në fillim të dhjetorit të kaluar, 23 apartamente në Reutlingen u kontrolluan nën dyshimin për pornografi me të miturit në bashkëpunim me autoritetet amerikane. Në një tjetër bastisje ndaj pornografisë së fëmijëve në Heilbronn që u zhvillua në shkurt 2022, të dhënat vendimtare erdhën nga SHBA.