Spiropalizohet Çuçi: Krim ka kudo, por bandat shqiptare kanë shumë famë

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, bëri prezantimin e arritjeve gjatë vitit 2022, ku nuk harroi pa përmendur edhe ‘famën’ e bandave shqiptare nëpër botë gjatë viteve të fundit.

Në krah të ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja, Çuçi deklaroi se puna është fokusuar tek forcimi për luftën e krimeve kibernetike, por pranoi edhe suksesin e bandave shqiptare, të cilat sipas tij, 'kanë marrë vëmendjen jo vetëm në vend por edhe gjithë botës për krimet e tyre'.

"Kjo është një reformë që ka qenë gjithnjë e rekomanduar nga partnerët tanë. Por që më në fund gjatë 2022 ne arritëm të bëjmë hapin e parë. Policia kriminale, duke filluar nga ky vit do të merret me krime të posaçme. Pra do ndahen në kategori, pothuajse në vendet perëndimore. Këtë ndarje duhet ta bëjmë nga qendra. Gjatë 2023, do vijojmë shtrirjen e vertikalitetit edhe në vendet e tjera. Kemi ndarë një drejtori të veçante me narkotikët, një që do merret me grupet e organizuara dhe me krimet e rënda. Pra do jenë të ndara në departamente. Unë besoj që ky ristrukturim do i japë shtysë shumë të madhe dhe shumë shpejt do shohim pritshmëri të reja në luftën kundër trafikut njerëzor, bandave të strukturuara etj. Do ketë një strukturë të veçantë në polici për krimet e rënda dhe krimet e organizuara. Banda e strukturuara kriminale shqiptare kanë marrë vëmendjen jo vetën në vend, por edhe gjithë botës për krimet e tyre".

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi vazhdoi 'spiropalizimin', kur tha se krim ka kudo. Ai deklaroi se po punohet për ngritjen e një agjencie kombëtare kundër sulmeve kibernetike, duke theksuar se kjo është gjithmonë një sfidë që e kalon gjithë bota.

Në konferencën me gazetarët, Çuçi u shpreh se do të ketë investime të reja në fushën e teknologjisë ndërsa shtoi se në institucionin që ai drejton do të ngrihet një sektor i Policisë së Shtetit, në këtë fushë.