Policia ndjek furgonin me klandestinë në Gjirokastër, arreston shoferin që s'u bind
Një i ri 24-vjeçar nga Saranda me iniciale A.P e kishte mbushur me klandestinë, furgonin e tij. Nëntë personave nga vende si Siria e Afganistani u kishte marrë nga 200 euro për t’i dërguar në Tiranë.
Policia e Gjirokastrës, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme "Shqiponja" pas informacionit që kishin marrë, u organizuan në operacionin "Road Guard 53" dhe i zunë pritë shoferit të furgonit, 24-vjeçarit në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë.
Ata i kanë bërë shenjë ndalimi sepse kishin dyshime se po transportonte emigrantë të paligjshëm.
Por, 24-vjeçari nuk është bindur urdhrit për të ndaluar dhe është larguar me shpejtësi, duke vënë në rrezik jetën e punonjësve të Policisë.
Pas ndjekjes nga Policia, shtetasi A. P. u kap në Gërhot me furgonin me të cilin po transportonte nga Saranda në drejtim të Tiranës, 9 emigrantë nga vendet MENA, kundrejt shumës 200 euro për person.
Dosja e tij i kaloi Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.