Sulm me thikë në Paris, disa të plagosur

Një sulm me thikë ka ndodhur mëngjesin e sotëm (11/01) në stacionin e trenit Gare du Nord në Paris me disa të plagosur.

Autori është arrestuar pas ndërhyrjes së policisë, sipas SNCF, rrjeti rajonal hekurudhor që i shërben rajonit të Parisit.

Kompania hekurudhore thotë se “shërbimet e urgjencës kanë ndërhyrë dhe personi është arrestuar. Është vendosur një perimetër sigurie, por stacioni vazhdon të funksionojë normalisht”. 

Ministri i Brendshëm francez Gerald Darmanin falënderoi agjentët në Twitter për reagimin e tyre "efektiv dhe të guximshëm". 

Motivi i sulmit nuk është bërë ende i ditur.

Franca mbetet në një gjendje gatishmërie të shtuar të sigurisë pas një sërë sulmesh vdekjeprurëse nga radikalët islamikë që nga viti 2015.