Refuzohet nga Universiteti i Tiranës, punësohet në Harvard!

Nga Taulant Muka

Dje, pata një telefonatë me një kërkues shqiptarë që po bën studimet postdoktoraturë në Universitetin e Harvard-it. Kishte mbaruar doktoraturën jashtë vendit, me publikime në revistat më prestigjoze në fushën ku bënte kërkim. 

Ishte kthyer në Shqipëri pas doktoraturës, dhe kishte aplikuar për punë si lektor/kërkues në Universitetin e Tiranës.

Universiteti i Tiranës e kishte refuzuar, pa asnjë komunikim të qartë pse. I riu më pas kishte aplikuar për pozicione të tjera jashtë vendit, dhe ndër të tjera, u pranua në Harvard, ku dhe ai punon aktualisht. 

Ky nuk është i vetmi rast që dëgjojmë nga vendi ynë për të rinj dhe të reja të suksesshëm në shkencë që institucionet tona universitare i refuzojnë, ndërkohë që vendi ynë ka shumë nevojë për potenciale të reja dhe një vizion të ri në arsimin e lartë dhe shkencë. 

Në rrugëtimin për kthimin në Shqipëri si akademik të shumë të rinjve dhe të rejave që kanë studiuar dhe punuar jashtë, Ministria e Arsimit të kërkon dhe konvertimin e diplomave dhe titujve akademik. 

Shkon në Harvard, Oxford dhe Stanford, universitet lider në botë, dhe asnjë prej tyre nuk të kërkon konvertim dhe njehsim diplome/titulli akademik. Vendi ynë që ka universitetet me renditjen më të ulët në rajon dhe Europë, e kërkon! Çmenduri!

Nëse e duam vendin tonë, dhe duam zhvillim, duhet të fillojmë të ndërtojmë politika që lehtësojnë, dhe jo bllokojnë thithjen e trurit!